Lidhje

Putin bën thirrje që Ukraina të ndalë ofensivën kundër separatistëve


Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë thirrje që qeveria ukrainase të ndalë operacionin ushtarak kundër separatistëve prorusë në pjesën lindore të vendit.

Shërbimi i Shtypit i Kremlinit njoftoi sot se në një bisedë telefonike me Presidentin francez Francois Hollande, zoti Putin vuri në dukje nevojën për “një ndërprerje të menjëherëshme” të “dhunës dhe gjakderdhjes” nga ana e autoriteteve të Kievit dhe për fillimin e një “dialogu direkt” mes Kievit dhe Ukrainës juglindore.

Po sot, ministri i Mbrojtjes në detyrë i Ukrainës u zotua sot të vazhdojë një ofensivë ushtarake kundër rebelëve prorusë në lindje të vendit, pasi separatistët atje goditën dhe rrëzuar një helikopter, duke vrarë të paktën 12 ushtarë.

Mykhailo Koval tha se forcat e tij i kanë spastruar krejtësisht separatistët nga zonat jugore dhe perëndimore të rajonit Donetsk, si edhe nga zonat veriore të rajonit fqinjë të Luhanskit. Ai tha se misioni do të vazhdojë derisa të rivendoset paqja dhe rendi.

Zoti Koval tha se mbi 20 ushtarë janë vrarë në Ukrainën Lindore që kur qeveria filloi një operacion antiterrorist atje në mes të prillit.

Ai foli një ditë pasi separatistët rrëzuan një helikopter ushtarak pranë qytetit lindor të Sloviankskut, duke vrarë të paktën 12 ushtarë, përfshirë një gjeneral.
XS
SM
MD
LG