Lidhje

Separatistët rrëzojnë një helikopter ukrainas


Ukraina thotë se separatistët pro-rusë dje pranë kufirit me Rusinë rrëzuan një helikopter ushtarak ukrainas, duke vrarë të paktën nëntë ushtarë.

Rrëzimi i helikopterit pranë qytetit lindor të Slovyanskit erdhi më pak se një ditë pasi rebelët njoftuan se do të respektonin një armëpushim të përkohshëm në përpjekjet e tyre për të fituar autonominë nga qeveria Kievit. Armëpushimi ishte në plan të respektohej paralelisht me një armëpushim një javor të shpallur nga Kievi të premten.

Statusi i armëpushimit të qeverisë ukrainase mbrëmë ishte i paqartë. Por Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, në një deklaratë, tha se rebelët kishin shkelur vetë ofertën e tyre të paqes. Ai gjithashtu urdhëroi forcat e qeverisë të hapin zjarr "pa hezitim" nëse sulmohen. Më parë të martën, presidenti rus Vladimir Putin, i kërkoi ligjvënësve rusë të shfuqizonin një rezolutë e cila lejon përdorimit e forcës ushtarake ruse në Ukrainë. Presidenti Putin në të kaluarën kishte favorizuar këtë rezolutë.

XS
SM
MD
LG