Lidhje

Situata në Ukrainë


Zyrtarët ukrainas thonë se rebelët pro-rusë kanë vazhduar bombardimin me artileri të pozicioneve ukrainase që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Ukrainën lindore, por se përplasjet me armë kanë ndaluar në pjesën më të madhe të frontit. Presidenti amerikan Barack Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry kanë zhvilluar biseda telefonike me Presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov për të nënvizuar rëndësinë e respektimit të armëpushimit.

Kreu i shërbimit të sigurisë të Ukrainës, Valentyn Nalyvaichenko, emërtoi grupimin që ai thotë se është përgjegjës për goditjen me mortaja të rajonit Luhansk.

“Këto sulme me mortaja janë kryer nga kozakë pro-rusë, të cilët janë të vendosur pikërisht në këtë rajon të Ukrainës.”

Ai tha se po kryhet edhe një hetim.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, pati urdhëruar më herët forcat ushtarake të respektojnë armëpushimin që hyri në fuqi në mesnatën e ditës së shtunë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që Moska të mbajë përgjegjësinë për dhunën në Ukrainën lindore.

“Ne besojmë tek solidariteti i të gjithë botës për luftën për paqe të Ukrainës. Garantojmë se të gjithë forcat e armatosura të Ukrainës do të përmbushin urdhërin e presidentit të vendit.”

Sipas marrëveshjes evropiane të arritur në Minsk, forcat ukrainase dhe rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia do të ndalonin përplasjet e armatosura. Nëse kjo marrëveshje do të qëndrojë, në vazhdim të dyja palët do të fillojnë zmbrapsjen e armëve të rënda për të krijuar një zonë më të gjerë të çmilitarizuar.

Diplomatë të OKB-së thanë se 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit do të votonin edhe një draft-rezolutë të përgatitur nga Rusia, që i bën thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG