Lidhje

Ukrainë, shkelet armëpushimi


Qeveria e Ukrainës dhe separatistët e mbështetur nga Rusia po shkëmbejnë akuza për shkelje të armëpushimit që synon t’u jap fund luftimeve në lindje të Ukrainës.

Ministri i jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin tha sot se forcat ukrainase u sulmuan 112 herë gjatë 24 orëve të fundit nga rebelët në qytetet Donetskut dhe Luhansk.

Ushtria tha se sulmet e rebelëve në qytetin Debaltseve janë shtuar dhe se separatistët po përdorin të gjitha llojet e armëve. Një korrespondent i agjencisë Reuters në Vuhlehirsk, rreth 10 kilometra në perëndim të qytetit Debaltseve, njoftoi për bombardime të rënda dhe shpërthime çdo 10 sekonda.

Komandanti i rebelëve Eduard Basurin tha sot se forcat qeveritare kanë bombarduar rrethinat e qytetit Donetsk dhe Horlivka.

Tërheqja e armëve të rënda nga vija e frontit në Ukrainë është planifikuar për sonte në mesnatë. Por zëdhënësi i ushtrisë ukrainase i tha agjencisë franceze të lajmeve se Ukraina nuk mund të tërheqë armët për shkak të sulmeve të vazhdueshme të separatistëve.

XS
SM
MD
LG