Lidhje

Putin, urdhër për manovra ushtarake në zonat pranë Ukrainës


Presidenti rus Vladimir Putin dha urdhër për zhvillimin e manovrave urgjente ushtarake për të kontrolluar gadishmërinë e trupave në rajonet qendrore dhe perëndimore të Rusisë, përfshirë zonat në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se manovrat do të përfshijnë forcat tokësore, detare dhe ato ajrore dhe synojnë të shikojnë gadishmërinë e tyre për të përballuar situata krize që kërcënojnë sigurinë e vendit.

Ky njoftim jepet ndërsa sot protestues pro-rusë, në qytetin jugor Simferopol të Ukrainës, u përleshën me mbështetës të udhëheqësve të rinj, pro-perëndimor të Ukrainës.

Gjatë incidentit që ndodhi në oborrin e një ndërtese në kryeqytetin e Krimesë, pati lëndime të lehta.

Gadishulli i Krimesë ka banorë kryesisht rusisht-folës, të cilët e mbështesin Moskën, por atje ka edhe një pakicë tartare, që ka prirjen të jenë anti-ruse.

Ka patur shqetësime, se Ukraina me 46 milionë banorë, mund të ndahet në dy pjesë, Lindje dhe Perëdnim, pas protestave masive që çuan në shkarkimin nga pushteti të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych.

Demonstratat anti-qeveritare filluan në Ukrainë pasi zoti Yanukovych hodhi poshtë një marrëveshje tregtie me Bashkimin Evropian, në favor të ndihmës ekonomike nga Rusia. Javën e kaluar dhuna u shkallëzua më tej dhe u vranë dhjetra njerëz.

Dje, udhëheqësit e përkohshëm të Ukrainës e shpërbënë forcën elitë të sigurisë, të akuzuar për vrasjen e protestuesve.
XS
SM
MD
LG