Lidhje

Ukraina në kërkim të miliarda dollarëve të vjedhur


Agjentë të FBI-së dhe Departamentit amerikan të Thesarit kanë mbërritur në Kiev për t’i ardhur në ndihmë udhëheqësve të përkohshëm ukrainas në zbulimin e krimeve financiare të qeverisë së presidentit të rrëzuar Viktor Yanukovych, në një përpjekje për të rikthyer në vend miliarda dollarë që mendohet se kanë dalë prej Ukrainës në formë të paligjshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jamie Dettmer njofton nga Kievi.

Qeveria e re e Ukrainës është e vendosur të rimarrë disa nga miliardat që thotë se u zhdukën gjatë regjimit të presidentit të rrëzuar Viktor Yanukovych. Dhe sipas ambasadorit amerikan në Ukrainë Geoffrey Pyatt, Uashingtoni është i gatshëm të ndihmojë.

“Ne jemi shumë të interesuar të punojmë me qeverinë ukrainase për të mbështetur hetimet e këtyre krimeve financiare dhe tashmë këtu në Ukrainë gjenden ekspertë nga FBI-ja, Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Thesarit, të cilët janë duke punuar me homologët e tyre ukrainas për të mbështetur hetimet e vendit.”

Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 20 miliardë dollarë në rezerva ari mund të jenë vjedhur dhe 37 miliardë dollarë në formë kredish janë zhdukur. Gjatë tre vjetëve të fundit, më shumë se 70 miliardë dollarë kanë dalë nga sistemi financiar i Ukrainës dhe janë depozituar në llogari bankare jashtë vendit.
Vendi ka nevojë për të gjitha të hollat që mund të rimerren, ndërsa buxheti qeveritar është rënduar nga borxhet prej 75 miliardë dollarësh. Monedha e Ukrainës, ka humbur më shumë se 20 për qind të vlerës së saj këtë vit. Me revolucionin dhe trazirat politike, edhe ekonomia po ndeshet me vështirësi.
Një grup i Fondit Monetar Ndërkombëtar është në Ukrainë për të negociuar detajet e një pakete 15 miliard dollarëshe për ekonominë në vështirësi. Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë 1 miliard dollarë në garanci huash për të ndihmuar në rivendosjen e stabilitetit financiar.
Ambasadori amerikan thotë se SHBA nuk është i vetmi vend i cili po ndihmon me përpjekjen e rimarrjes së fondeve të vjedhura.

“Ka shumë qeveri të tjera të cilat janë gjithashtu të interesuara në këtë anë përmes rrjeteve ndërkombëtare financiare për të zbuluar krimet financiare të kryera nga regjimi i mëparshëm dhe për të parë se çfarë mund të bëhet për të rimarrë disa nga këto pasuri.”

Por ndërsa autoritetet ukrainase, me ndihmën e të huajve, analizojnë të dhënat në kërkim të parave të vjedhura, disa ukrainas janë të shqetësuar se atyre që kishin të bënin në ndihmën dhe inkurajimin e plaçkitjes së vendit po u jepen poste qeveritare.
Qeveria e përkohshme ka emëruar disa nga oligarkët e vendit si guvernatorë rajonalë. Ligjvënësja e opozitës dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Lesya Orobets nuk është e kënaqur me emërimet:

“Unë nuk jam e kënaqur me këto emërime, por kuptoj llogjikën e një lëvizje të tillë. Ne duhet të emërojmë ata njerëz, të cilët, duke vepruar së bashku me qeverinë e përkohshme përpara zgjedhjeve presidenciale do të fitojnë kontrollin e vendit. Kjo është shumë e rëndësishme.”

Ajo ngushëllon veten me dijeninë se nuk ka mbetur shumë për t’u vjedhur dhe shpreson se oligarkët do të përdorin këtë si një mundësi për të qenë të përgjegjshëm.

“Regjimi i mëparshëm ka vjedhur gjithçka. Kjo është një mundësi e mirë për udhëheqjen e re të tregojë se do të veprojë ndryshe.”

Por një nga udhëheqësit e revolucionit të sheshit Maidan, Sergey Poyarkov, paralajmëron se huatë e dhëna nga Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane tani duhet të monitorohen me kujdes.

“Paratë e dhuruara duhet të kontrollohen se ku shkojnë. Dhe duhet të kërkoni që çdo pagesë të mund të shihet hapur në faqen e internetit të ministrisë ose departamentit përkatës. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’u siguruar që paratë nuk do të vidheshin.”

Qeveria e përkohshme ka emëruar Tetyana Chornovol, një gazetare investigative, e cila ishte rrahur gati për vdekje në dhjetor për raportimin e saj, për të udhëhequr përpjekjet për gjetjen e miliardave të vjedhura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG