Lidhje

Rusia vazhdon të pushtojë bazat ushtarake në Krime


Rusia dje akuzoi aktivistët e ekstremit të djathtë në Ukrainë dhe qeverinë pro – perëndimore të Kievit për krijimin e "kaosit" në rajonet e Ukrainës lindore të banuara me popullatë rusisht -folëse, ndërkohë që forcat pro - ruse vazhduan të pushtonin bazat ushtarake ukrainase në gadishullin e Krimesë.

Një deklaratë e ministrit të jashtëm rus, i cili veçoi grupin e ekstremit të djathtë ukrainas "Sektori i Djathtë", akuzoi edhe qeveritë perëndimore për injorimin e dhunës në rajon. Deklarata erdhi pasi Ministria ukrainase e Mbrojtjes tha se njerëz të armatosur të veshur me uniforma ushtarake e rrethuan dhe pushtuan një bazë detare në Çernomorskoi të Krimesë, dhe një spital ushtarak në Simferopol.

Gazeta The New York Times tha se policia ndërpreu një intervistë me një banor lokal në Çernomorskoi, duke kërcënuar gazetarët e saj dhe duke i konfiskuar shënimet e tyre.
Kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenyuk të mërkurën do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barak Obama. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë të lëshuar dje thuhet se vizita do të nxjerrë në pah mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, dhe do të përfshijë bisedimet mbi ndihmën ekonomike dhe përgatitjet për zgjedhjet e majit në Ukrainë.

Departamenti Amerikan i Shtetit dje i bëri thirrje Rusisë të dëshmojë se është e gatshme të shqyrtojë propozimet diplomatike amerikane për t'i dhënë fund krizës në Ukrainë. Zëdhënësja Jen Psaki tha gjithashtu se një takim mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov këtë javë është i mundur, në qoftë se Sekretari Kerry është i bindur se Moska është e gatshme të zhvillojë bisedime substanciale.
XS
SM
MD
LG