Lidhje

Kriza dhe opionini publik në Ukrainë


Një anketë e re tregon se marrja e Krimesë nga Rusia dhe mbështetja e Moskës për separatistët në Ukrainën lindore ka bërë që një pjesë e madhe e popullsisë ukrainase të pozicionohet kundër Rusisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin, njofton nga kryeqyteti ukrainas, Kiev, se këto veprime mund të kenë ndikim edhe në Rusi në një mënyrë ose në tjetrën.

Për shumë vite pas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik, shumë prej ukrainasve mendonin se vendi i tyre duhet të rënditej përkrah Rusisë. Ky perceptim është formuar gjatë viteve, por tani prirjet kanë ndryshuar, tregon një anketë e Qendrës Razumkov në Kiev.

“Mësimi kryesor është se situata në Ukrainë ka ndryshuar tërësisht,” thotë drejtori i qendrës së kërkimeve sociologjike, Andrii Bychenko. Sipas tij, tani ka një ndryshim të madh: më shumë se gjysma e popullatës beson se vendi duhet të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian.

“Arsyeja kryesore se pse shoqëria ukrainase ndryshoi kaq shpejt në pro-Evropiane është kryesisht agresioni rus,” thotë zoti Bychenko.

Madje edhe në Ukrainën Lindore, ku separatistët janë aktivë, anketa tregon se vetëm 22 përqind e popullsisë shikon drejt Rusisë; 32 përqind thonë se duan të jenë më pranë Bashkimit Evropian.

Rënia e popullaritetit të Rusisë në Ukrainë mund të jetë vetëm njëri aspekt. Eksperti për strategjinë, Igor Satyagin, në Institutin Royal United Services të Londrës, thotë se duke u dhënë fuqi militantëtve në Ukrainën Lindore, Kremlini ka krijuar një problem që mund të ketë pasoja për të.

“Ata janë tejet të radikalizuar. Kanë ndjenjën e lirisë për të luftuar kundër rregullave dhe janë të armatosur. Paqendrueshmëria në lindje të Ukrainës është më e madhe se sa do të ishte e dëshirueshme për Rusinë që të ndikonte te politikat e Kievit," thotë analisti.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin përballet me një tjetër problem. Aneksimi i shpejtë i Krimesë ka rritur pritshmëritë në Rusi për një marrje të lehtë të Ukrainës lindore. Ekspertët ushtarak thonë se Rusia do të përballet me kundërshtime të rrepta nga popullsia lokale.
Sipas zotit Satyagin, kostoja e veprimeve ushtarake së bashku me subvencionet për këtë zonë me probleme ekonomike serioze si dhe kërcënimi për shtimin e sanksioneve nga Perëndimi, e bëjnë pushtimin një persepektivë të pakëndshme.

“Tashmë është tepër e kushtueshme që Rusa të gëlltisë Krimenë. Do të ishte e pamundur gëlltitja e Ukrainës lindore, por njerëzit po e presin këtë. Këtu qëndron vështirësia.”

Pamjet filmike të separatistëve të armatosur mirë dhe të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore si dhe trupat ruse përgjatë kufirit, nganjëherë e bëjnë luftën të duket e pashmangshme. Dhe lufta mund të ndodhë. Por shumë ekspertë besojnë se presidenti Putin do të dalë në përfundimin se kosotja ekonomike do të ishte shumë e lartë, kur është fjala për marrëdhëniet me Ukrainën si dhe me Perëndimin, dhe ndoshta edhe në aspektin ushtarak.
XS
SM
MD
LG