Lidhje

Ukraina në prag të zgjedhjeve parlamentare


Zgjedhjet këtë fundjavë zhvillohen në mungesë të ish-kryeministres së burgosur Yulia Timoshenko dhe e figurave të tjera të opozitës.

Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë këtë fundjavë do të zhvillohen në mungesë të ish-kryeministres së burgosur Yulia Timoshenko dhe e figurave të tjera të opozitës. Zonja Timoshenko po kryen një dënim me 7 vjet burg nën akuzat për shpërdorim të pushtetit.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters, e bija e zonjës Timoshenko dhe bashkëshortja e ish-ministrit të brendshëm Yuri Lutzenko, i cili gjithashtu është në burg, thanë se Presidenti Viktor Janukoviç shpreson se mungesa e figurave të opozitës do t’i japë fitoren partisë së tij.

Zonja Timoshenko dhe ish-ministri Lutsenko ishin dy nga arkitektët e Revolucionit Portokalli të vitit 2004 që e pengoi zotin Yanukovich të fitonte presidencën.

"Është e qartë. Qëllimi i zotit Janukoviç është i qartë në kushtet kur nëna ime është e burgosur, në kushtet e shtypjes. Ai synon që të mos ketë fushatë politike të barabartë dhe që kjo diktaturë e re që ai po ngre të mos ketë kundërshtarë politikë deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Është shumë e qartë se ai dëshiron që nëna ime të qëndrojë në burg,’”- tha Yevgenia Timoshenko, e bija e ish-kryeministres së burgosur.

Zgjedhjet presidenciale pritet të zhvillohen në vitin 2015 dhe Presidenti Yanukovich së bashku me aletët e tij po përpiqet të ruajë shumicën në parlamentin me 450 vende.
Ashtu si Yevgenia Timoshenko, edhe Irina Lutsenko, bashkëshortja e ish-ministrit të brendshëm, tha se burgosja e udhëheqësve të opozitës, bëri që zoti Janukoviç, i cili synon të rizgjidhet, të shmangte rreziqet e mundshme politike për të.

"Autoritetet kishin frikë prej njerëzve të tillë si Lutsenko, një udhëheqës karizmatik, që ishte në krye të miliona njerëzve dhe që e ka ndryshuar situatën politike në Ukrainë disa herë në shtatë vitet e fundit. Këta njerëz mund të jetë një alternativë për autoritetet e tanishme dhe një rrezik për ta. Prandaj ata mbahen të izoluar në burg ", tha Irina Lutsenko, bashkëshorte e ish-ministrit të brendshëm.

Udhëheqësja e burgosur e opozitës, Timoshenko, e cila aktualisht është shtruar në spital për dhimbje kronike të shpinës, ndodhet nën mbikqyrje të vazhdueshme nga ana e zyrtarëve të burgut dhe ka ngritur akuza se është abuzuar prej tyre.

E bija e saj Yevgenia thotë se pavarësisht se nëna e saj mbahet e burgosur, opozita gëzon megjithatë përkrahje të madhe në zgjedhjet që vëzhguesit kanë thënë se qysh tani janë karakterizuar nga parregullsitë.
XS
SM
MD
LG