Lidhje

Ukrainë: Vazhdon lufta në qytetin strategjik


Kryengritësit pro-rusë dhe ushtria ukrainase po refuzojnë të ulin armët në një qytet strategjik në lindje të Ukrainës, ku luftimet vazhdojnë pavarësisht nga një armëpushim i negociuar nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithëse marrëveshja që hyri në fuqi të dielën e ka ulur intensitetin e luftimeve në pjesë të tjera të zonës së luftës, shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar në Debaltseve, që kontrollohet nga Kievi por është i rrethuar nga separatistët.

Sipas kushteve të armëpushimit, të dyja palët duhet të fillonin të tërhiqnin armët e rënda nga qyteti i tensionuar sot.

Por ndërsa afati skadoi, secila nga palët këmbënguli se nuk do ta ndërmerrte e para këtë hap.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Andriy Lysenko tha se Kievi është i gatshëm të tërheqë armët e rënda sapo të respektohet plotësisht armëpushimi.

“Sapo kam marrë informacionin e fundit për Debaltseven. Për momentin, luftimet e ashpra po vazhdojnë në rrethinat e qytetit. Ka pasur përplasje ushtarake pranë stacionit hekurudhor, por ushtarët tanë po i mbrojnë pozicionet dhe kanë të drejtën të hapin zjarr si përgjigje dhe të qëndrojnë në pozicionet që i kanë pasur prej muajsh”.

Nga ana tjetër zëdhënësi i kryengritësve Denis Pushilin i tha agjencisë Reuters se separatistët kanë të drejtën “morale” të mbrojnë qytetin që ai e quajti “territor të brendshëm”. Ai tha gjithashtu se kryengritësit ishin gati për një tërheqje reciproke por do të vazhdojnë t’i “përgjigjen zjarrit”.

Kryengritësit pretendojnë se e kanë marrë nën kontroll Debaltseven.

Marrëveshja e paqes dhe tërheqja e armëve pritet të jenë në qendër të një telefonate sot mes përfaqësuesve të kryengritësve, Ukrainës, Rusisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

XS
SM
MD
LG