Lidhje

Vazhdojnë luftimet në Ukrainë


Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë po takohen sot në Minsk të Bjellorusisë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në rajonet lindore të Ukrainës. Rusia është akuzuar nga perëndimi për mbështetje të forcave separatiste në Ukrainë. Komandanti i trupave amerikane në Evropë, gjenerali Ben Hodges tha sot se forcat ushtarake ruse janë drejtpërdrejt të përfshira në luftime. Që nga prilli i kaluar, në Ukrainën lindore janë vrarë më shumë se 5300 njerëz.

Së paku dy vetë humbën jetën në qytetin lindor Donetsk që mbahet nga separatistët, kur një predhë goditi një stacion autobusi, sipas zyrtarëve dhe personelit të urgjencës. Zyrtarë ushtarakë thanë gjithashtu se nga sulmet e separatistëve pranë qytetit Debaltseve lanë të vrarë të paktën 19 ushtarë dhe 78 të plagosur.

Në prag të bisedimeve të së sotme në Bjellorusi, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko e quajti takimin mes udhëheqësve të katër vendeve si një ndër mundësitë e fundit për t'u dhënë fund luftimeve ndërmjet forcave të vendit të tij dhe separatistëve pro-rusë.

"Dikujt nuk i pëlqen paqja, dikush dëshiron luftë, dikush kërkon të ketë ndikim duke vrarë njerëz, kërkon luftë, agresion kundër paqes në Ukrainë. Ne nuk do t'i lejojmë ata ta bëjnë këtë. Ne jemi popull paqësor, dhe e tërë bota është me ne. ''

Ukraina dhe një numër qeverish perëndimore akuzojnë Rusinë se përkrah kryengritjen gati një vjeçare në rajonet lindore të Ukrianës me trupa dhe armatime.

Moska e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e saj dhe thotë se rusët që luftojnë përkrah separatistëve në rajonet rusisht folëse të Ukrainës lindore shkojnë aty si vullnetarë.

XS
SM
MD
LG