Lidhje

Përpjekje për krijimin e një qeverie të re në Ukrainë


Vendndodhja e presidentit të rrëzuar ukrainas Viktor Janukoviç mbetet e paqartë, një ditë pas largimit të tij nga Kievi dhe lirimit nga burgu të kreut të opozitës Julia Tymoshenko. Rojet kufitare thonë se dje një avioni që tentonte të çonte zotin Janukoviç në një destinacion të panjohur, nuk iu dha leja për të fluturuar.

Kreu i opozitës Vitali Klitschko tha sot se udhëheqësi i rrëzuar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për dhunën vdekjeprurëse të kohëve të fundit në Ukrainë. Ai foli me gazetarët ndërkohë që një turmë e madhe e ukrainasve vazhdon të qëndrojë në një zonë të Kyiv ku janë zhvilluar protestat vdekjeprurëse. Turma dukej se po priste për të mësuar se çfarë do të pasojë rrëzimin e presidentit Janukoviç.

Ndërkohë, parlamenti i Ukrainës u mblodh në një sesion të posaçëm sot në një përpjekje për të filluar krijimin e një qeverie të re të unitetit kombëtar.
Ukrainasit i rezervuan një pritje të denjë udhëheqëses së opozitës dhe ish-kryeministres së vendit Julia Timoshenko e cila u lirua dje nga burgu. Ajo foli dje para protestuesve në Kiev, duke u bërë thirrje të vazhdojnë demonstratat.

Zonja Timoshenko foli para turmës në Sheshin Pavarësia të Kievit, duke qëndruar në një karrike invalidi si rezultat i dhimbjeve të shpinës.

“Sot e keni rrugën e hapur për të ndërtuar Ukrainën ashtu siç doni, por është e rëndësishme që të mos i besoni politikanëve dhe burokratëve. Për këtë arsye ju duhet të qëndroni këtu deri në zgjedhjen e ndershme të një personi të cilit ju i besoni.”

Në kuadër të marrëveshjes për të ndalur dhunën që vazhdonte prej muajsh, zonja Tymoshenko u lirua nga një spital-burg ku vuante dënimin pasi u shpall fajtore për shpërdorim detyre, një akuzë që u komentua nga përkrahësit e saj si hakmarrje politike nga Presidenti Viktor Janokoviç.

Më parë dje, Parlamenti i Ukrainës votoi për largimin nga posti të Presidentit Viktor Janukoviç dhe kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme më 25 maj.

“Besoj se opozita, e cila tani ka shumicën në parlament, do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të mirë. Unë i shoh dy rreziqe. Së pari trazira në pjesën lindore të vendit, të nxitura nga ata që janë të interesuar të dëmtojnë qeverinë e re dhe së dyti Rusia e cila nuk respekton sovranitetin dhe zgjedhjen e lirë të Ukrainës për të ndjekur rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Protesta në Ukrainë shpërthyen në nëntor të vitit të kaluar pasi presidenti Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG