Lidhje

I dërguari i OKB detyrohet të largohet nga Krimeja


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Ukrainën u detyrua të largohej nga Krimeja pasi u ndalua nga persona të armatosur dhe u rrethua nga një turmë. I dërguari i OKB-së Robert Serry vendosi të ndërpresë vizitën diplomatike në Krime pasi një grup i armatosur filloi ta ngacmonte me fjalë, po e ndiqte dhe më pas i bllokoi rrugën në një kafene në Simferopol.

Turmat hidhnin parulla pro-ruse ndërkohë që zoti Serry po udhëtonte drejt aeroportit.

Zv/Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Jan Eliasson, i cili ndodhet për një vizitë pune në Kiev, tha se zoti Serry është në gjendje të mirë fizike dhe hodhi poshtë zërat se ai është rrëmbyer:

"Ai u ndje i kërcënuar fizikisht dhe pret që autoritetet të marrin në dorë kontrollin e situatës”.

Grupi i armatosur dukej se u përkiste forcave të parregullta vullnetare pro-ruse që janë shtuar në numër që kur filluan të shfaqen ushtarë të peidentifikuar në rajonin e Krimesë javën e kaluar. Këto trupa besohet se i përkasin ushtrisë ruse.

Po dje, protestues anti-evropianë u mblodhën në hotelin ku ndodhen zyrtarë të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Banorja e Simferopolit Raisa Ivanovna shpjegon se dëshiron që Krimeja të mbetet pjesë e Ukrainës, por me autonomi më të gjerë. Ajo thotë se është kundër ndërhyrjeve nga OSBE-ja në çështjet e brendshme.

Gadishulli i Krimesë ka qenë skenë përplasjesh diplomatike: nga njëra anë udhëheqësit perëndimorë kanë dënuar atë që e cilësojnë si agresion rus në këtë rajon. Rusia mohon se ka dislokuar trupa përtej bazave ushtarake që ka marrë me qera, por shumë banorë të Krimesë, ndër të cilët edhe elementë pro-rusë, nuk i besojnë këto deklarata.
XS
SM
MD
LG