Lidhje

Lavrov: Perëndimi dha shembull të keq me Ukrainën


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se Perëndimi dha një shembull të keq, duke mbështetur protestuesit në Ukrainë, të cilët Rusia i ka akuzuar për një grusht shteti jo-kushtetues.

Zoti Lavrov i bëri këto komente sot në Madrid, në krah të homologut të tij spanjoll José Manuel García-Margallo. Po sot Ministri i Jashtëm rus do të takohet në Paris me Sekretarin e Shtetit John Kerry, ku të dy zyrtarët do të marrin pjesë në një konferencë për Libanin.

Udhëheqësit perëndimorë kanë bërë thirrje për qetësimin e tensioneve të shkaktuara kur forcat ruse hynë në gadishullin ukrainas të Krimesë javën e kaluar. Perëndimi ka sugjeruar që kriza mund të zgjidhet, në se Rusia i tërheq forcat nëpër kazermat në gadishullin në Detin e Zi dhe lejon vëzhguesit ndërkombëtarë.

Por zoti Lavrov mohoi që këto forca të jenë ruse duke thënë se Rusia nuk mund të urdhërojë forcat e armatosura pro-ruse në Krime të kthehen nëpër baza. Ai tha se personeli i flotës së Detit të Zi të Rusisë ndodhen në pozicionet e tyre normale.

Ai tha gjithashtu se lejimi i vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime nuk është një vendim që i takon Rusisë ta marrë, por Ukraninës dhe autoriteteve të Krimesë.
XS
SM
MD
LG