Lidhje

Të paktën 30 të vrarë nga luftimet në Ukrainë


Kryengritësit pro-rusë kanë ndërmarrë një offensive ndaj qytetit ukrainas me rëndësi strategjike, Mariupol, një përshkallëzim që shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini paralajmëron se do t’i keqësojë edhe më tej marrëdhëniet BE-Rusi. Autoritetet ukrainase thonë se të paktën 30 vetë u vranë sot dhe mbi 80 të tjerë u plagosën nga sulmet me raketa ndaj një tregu të mbushur me njerëz dhe godinave të banimit në qytet. Sulmi në zonat e banuara të qytetit ndodhi vetëm disa orë pasi udhëheqësi i seperatistëve pro-rusë në rajonin e Donetskut tha se nuk do të vazhdonte bisedimet e paqes me Kievin. Presidenti ukrainas Petro Porshenko premtoi se do të mbrojë territorin ukrainas, ndërsa zonja Mogherini i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë mbështetjen ushtarake dhe financiare të rebelëve dhe ta përdorë ndikimin e vet për të ndalur ofensivën.

Mariupoli shtrihet përgjatë Detit Azov dhe është qyteti më i madh mes Rusisë kontinentale dhe Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia.

Luftimet e ashpra në rajon në vjeshtë ngritën frikën se separatistët e mbështetur nga forcat ruse po përpiqeshin të krijonin një lidhje tokësore mes Rusisë dhe Krimesë.

Forcat rebele janë pozicionuar 10 kilometra nga rrethinat lindore të Mariupolit.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se raketat goditën shtëpitë, duke u vënë flakën atyre, tregun dhe dyqane.

Policia tha se edhe një postbllok i ushtrisë ukrainase në një rrugë që të çon nga qyteti drejt zonave të kontrolluara nga rebelët.

Duke folur në Kiev, koloneli Andriy Lysenko, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, tha se sulmi kishte në shënjestër cilivët.

"Sulmi në mënyrë specifike kishte në shënjestër civilët dhe pjesët e banuara të Mariupolit".

Sulmet me raketa në Mariupol ndodhën disa orë pasi separatistët shpallën synimin e tyre për fillimin e një ofensive të gjatë që synon zgjerimin e territorit të tyre.

Udhëheqësi i seperatistëve të mbështetur nga Rusia, Alexander Zakharchenko, udhëheqës i Republikës së Vetëshpallur të Donetskut, dje tha se forcat e tij do të sulmonin trupat qeveritare deri sa të arrinin në kufirin e rajonit të Donetskut. Ai tha se luftëtarët po përparonin kundër trupave ukrainase pas marrjes nën kontroll të aeroportit qytetit.

Intensifikimi i përleshjeve përfundimisht do të dëmtonte përpjekjet e kohëve të fundit të evriopianëve për t’i dhënë fund luftimeve.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dje e ngriti numrin e përgjithshëm të viktimave të konfliktit ukrainas në gati 5100 njerëz që thotë se kanë humbur jetën nga prilli i vitit të kaluar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG