Lidhje

Ukraina do të zhvillojë stërvitje të përbashkëta me NATO-n


Ukraina ka vendosur të organizojë stërvitje të përbashkëta ushtarake me vendet evropiane dhe të NATO-s këtë vit, pas tensioneve ushtarake disa javëshe me Rusinë. Ky veprim mund të zemërojë Moskën dhe ndodh pak kohë pasi zyrtarë të NATO-s hodhën poshtë njoftimet se trupat ruse po tërhiqeshin nga kufiri me Ukrainën.

Ligjvënësit ukrainas dje votuan njëzëri në favor të organizimit të stërvitjeve ushtarake këtë vit me forcat e vendeve anëtare të NATOs dhe atyre evropiane.
Parlamenti i Ukrainës, votoi me 235 vota pro dhe asnjë kundër për të lejuar trajnimin bashkëpunues, pavarësisht nga tensionet e vazhdueshme ushtarake me Rusinë.
Mbështetja e madhe për këtë veprim pason aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga ana e Rusisë në mars dhe njoftimet për grumbullimin e trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit të Ukrainës.

Gjeneral Lejtnanti Mihaylo Koval është ministër i mbrojtjes në detyrë i Ukrainës.

Ai thotë se parlamenti ka dhënë leje për të lejuar njësi nga vendet e huaja, duke përfshirë edhe ato që i përkasin Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të marrin pjesë në tetë stërvitje ushtarake. Ai thotë se gjysma e personelit ushtarak që do të marrë pjesë në këto stërvitje do të jetë nga Ukraina dhe gjysmë tjetër nga vende të huaja. Synimi i trajnimit është përgatitja për mbështetjen e operacioneve ndërkombëtare të paqes, thotë ai. Ata gjithashtu do të marrin pjesë në stërvitje për sigurinë humanitare, operacionet e kërkim-shpëtimit në tokë dhe ujë, si dhe për mbrojtjen kombëtare.

Stërvitjet e përbashkëta pritet të zhvillohen në portin Odesa të Ukrainës në Detin e Zi dhe mund të sjellin forcat ushtarake të BE-së dhe NATO-s afër forcave ruse të vendosura në Krime.

Moska e sheh NATO-n si një aleancë që ka si qëllim rrethimin dhe izolimin e Rusisë. 28 shtetet anëtare të NATO-s, të cilat tani përfshijnë edhe ish aleatët e Bashkimit Sovjetik, janë pjesë e mbrojtjes kolektive, ku sulmi mbi një vend anëtarë cilësohet si sulm kundër gjithë aleancës.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ka organizuar stërvitje të ngjashme në të kaluarën.
Që nga lëvizjet agresive të Rusisë në Krime, Kievi është duke marrë parasysh përmirësimin e marrëdhënieve të saj me aleancën e NATOs, por nuk ka plane për t'u anëtarësuar në të.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s u takuan dje në Bruksel për herë të parë që kur Rusia aneksoi Krimenë. Shefi i NATO-s Anders Fogh Rasmusen tha se forcat ruse janë duke vazhduar grumbullimin përgjatë kufirit me Ukrainën.
Të hënën Moska tha se kishte urdhëruar fillimin e një tërheqje graduale të dhjetëra mijëra ushtarëve nga zona kufitare me Ukraninën.
Por Moska ka konfirmuar tërheqjen e vetëm një batalioni të përbërë nga qindra ushtarë dhe pretendon se vetëm një numër i vogël i trupave ndodhen atje për stërvitje të zakonshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG