Lidhje

Opozita ukrainase synon parandalimin e gjakderdhjes


Në Ukrainë, partitë kryesore të opozitës thonë se janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet me Presidentin Viktor Yanukovych, për të parandaluar shkallëzimin e mëtejshëm të gjakderdhjes.

Por opozita paralajmëroi me anë të një deklarate se durimi i protestuesve po arrin kulmin. Opozita gjithashtu tha se kishte informacion se një dekret për të urdhëruar gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpërndarjen e demonstruesve në kryeqytetin Kiev, ishte përgatitur nga administrata e Presidentit Yanukovych.

Më herët sot, Ministrja e drejtësisë, kërcënoi se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në qoftë se protestuesit nuk largohen nga ministria që ajo drejton. Krerët e opozitës kanë thënë se oferta e Presidentit të vendit për emërimin si kryeministër të udhëheqësit të protestave, nuk është e mjaftueshme.

Ministrja e drejtësisë, Olena Lukash, kërcënoi se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në qoftë se protestuesit nuk largohen nga ministria që ajo drejton, ku ata hynë mbrëmë vonë.

"Unë jam anëtare e grupit të punës të ngritur për zgjidhjen e situatës. Do të detyrohem t'i drejtohem presidentit të vendit dhe t'i kërkoj ndërprerjen e bisedimeve nëse ndërtesa e Ministrisë nuk lirohet menjëherë dhe nëse pjesëmarrësve në bisedime nuk u jepet mundësia për të gjetur një zgjidhje paqësore," tha zonja Lukash.

Krerët e opozitës kanë thënë se oferta e zotit Yanukovych për emërimin si kryeministër të udhëheqësit të protestave, Arseniy Yatsenyuk të Partisë Atdheu, dhe si zëvendës të tij ish-kampionin e boksit dhe kreun e partisë UDAR, Vitali Klitschko, nuk është e mjaftueshme për t'u dhënë fund demonstratave, të cilat janë përhapur në drejtim të pjesëve lindore të vendit, që shihen si mbështetëse të presidentit.

Zoti Yatsenyuk tha se opozita nuk ka frikë të pranojë më tepër përgjegjësi politike, por shtoi se Presidenti Yanukovych ende nuk ka përmbushur disa kërkesa, duke përfshirë zgjedhjet e parakohshme, lirimin e protestuesve të burgosur dhe shfuqizimin e ligjeve të anti - protestës.

Protestat në Ukrainë filluan në fund të nëntorit, pasi zoti Yanukovych hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian, duke u shprehur në vend të saj për lidhje më të ngushta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG