Lidhje

Shqetësime për elementët nacionalistë në Ukrainë


Presidenti i përkohëshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka dënuar grupin ultra-nacionalist Sektori i Djathtë që organizoi protesta para parlamentit, duke thënë se kjo organizatë synon destabilizimin. Grupet nacionaliste janë përdorur si argument nga Rusia, e cila është hedhur në sulm me pretendimet se elementë nazistë e fashistë kanë marrë kontrollin në Kiev. Ky ishte justifikimi i Moskës kur aneksoi Krimenë. Shumë ukrainas duan që këto elementë të heqin dorë nga protestat dhe të integrohen në institucionet e rregullta.

Nacionalistët ukrainas vazhduan dje protestat para parlamentit në pritje të një vote për largimin nga posti të Ministrit të Brendshëm Arsen Avakov. Grupi radikal Sektori i Djathtë fajëson ministrin për vrasjen e një prej udhëheqësve radikalë këtë javë në Ukrainën perëndimore. Të veshur me uniforma ushtarake, disa mbajnë shkopinj në duar, disa të tjerë hanxharë.

Të ashtu-quajturat forca “vetë-mbrojtëse” të Ukrainës u vendosën para hyrjes së parlametit për të shmangur provokimet.

Një natë më parë, nacionalistë të revoltuar shkuan drejt parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit Avakov.

Disa në turmë u përpoqën të futen në ndërtesë para se parlamentarët t’i qetësonin, duke premtuar se e ardhmja e ministrit të brendshëm do të hidhej në votë.
Dje, votimi u anulua dhe u premtua zhvillimi i një procesi hetimor.

Kreu politik i Sektorit të Djathtë, Kiva Ilya thotë se ata kërkojnë vetëm drejtësi.

Ai thotë se detyra e tyre është të ruajnë qetësinë dhe të mos lejojnë që qeveria ruse ta shohë situatën në Ukrainë si jashtë kontrollit. Sektori i Djathtë, thotë ai, është në anën e ligjit në të gjitha veprimet e tij.

Por ka plot njerëz që e shohin ndryshe situatën dhe shqetësohen se grupet ultranacionaliste mund të fillojnë të sillen me dhunë, nëse nuk integrohen në forcat ushtarake dhe në institucionet politike.

Kjo do t’i shërbente Kremlinit, paralajmëron Vasil Korus, një prift ortodoks ukrainas që foli para protestueve:

Ai tha se deri dje po luteshin që kjo situatë të mos i ofronte avantazh Presidentit rus Vladimir Putin. Ne e kemi të qartë që nëse protestuesit sillen dhunshëm, kjo do t’i shërbente presidentit rus.

Nacionalistët radikalë ishin në radhët e para të përleshjeve me policinë, që solli rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviç, i cili gëzonte mbështetjen e Moskës.
Mbi 100 vetë, ndër të cilët shumica civilë, kanë gjetur vdekjen gjatë përleshjeve.
Nacionalistë të vijës së ashpër ende nuk janë larguar nga qendra e Kievit, pasi nuk kanë besim tek qeveria e përkohëshme e Ukrainës.

Parlamentarja ukrainase Inna Bogoslovska thotë se edhe autoritetet nuk kanë shumë besim tek fjalët e elementëve radikalë.

Ajo thotë se Sektori i Djathtë ka një përgjegjësi të madhe, pasi nëse duan të bëhen forcë politike, së pari duhet të mos lejojnë sjellje e veprime që dikush tjetër do t’i shfrytëzonte për t’u bërë presion. Ata duhet të sigurohen që në radhët e tyre nuk ka provokatorë apo elementë kriminalë, thotë parlamentarja.

Nacionalistët, përfshirë anëtarët e Sektorit të Djathtë kanë filluar të regjistrohen në radhët e ushtrisë ukrainase dhe të Gardës Kombëtare. Por në një intervistë me Zërin e Amerikës, udhëheqësi i Sektorit të Djathtë, Dmitri Yarosh, aktualisht kandidat për president, tha se grupi nuk kanë ndër mend të dorëzojë armët.

Askush nuk duhet të harrojë rrezikun me të cilin ballafaqohen sot ukrainasit, thotë ai, duke sjellë si shembull agresionin rus, si dhe situatën në Ministrinë e Brendshme, një institucion që sipas tij është dalluar për rrëmbime dhe fushata terrori kundër popullit ukrainas.

Anketat e fundit tregojnë se grupet radikale nuk kanë mbështetje publike, por disa ukrainas shqetësohen se kur të afrohen zgjedhjet, ata mund të kërkojnë më shumë lëshime për sakrificat që kanë bërë.

Figurat e revolucionit ukrainas janë shndërruar tashmë në një faktor të rrezikshëm.
XS
SM
MD
LG