Lidhje

Ukrainasit shpresojnë se Presidenti i ri do të rivendos paqen në vend


Forcat separatiste në Ukrainë sulmuan aeroportin më të madh në lindje të vendit dje, vetëm disa orë pasi kandidati pro -evropian Petro Poroshenko dukej se po shkonte drejt një fitoreje dërrmuese të zgjedhjeve presidenciale të vendit. Por në kryeqytetin e vendit, Kiev, një ditë pas zgjedhjeve mbizotëronte një ndjenjë qetësie dhe kënaqësie.

Njerëzit lëviznin në Sheshin e Pavarësisë si në një ditë normale të një mëngjesi të së hënës, duke shkrepur aparatët fotografik për të kapur momentet e mira të fillimit të stinës së verës. Por politika nuk ishte larg mendjes së tyre.

"Mendoj se ndoshta ai do të veprojë më fuqishëm në lindje tani. Nuk kishte njeri të gatshëm për të marrë përgjegjësinë e plotë për këtë situatë. Kjo është ajo që është e nevojshme për rivendosjen e rendit", thotë Vladimiri, me profesion inxhinier.

"Përparësia jonë kryesore është anëtarësimi në Bashkimin Evropian për të ndihmuar vendin tonë të ngrihet në këmbë, për t'u kthyer Krime, Donbas, Luhansk, në mbarë lindjen, dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e tjera në vend", thotë Anastasia.

"Gjëja më e rëndësishme është vendosja e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Agresori duhet të pranoj se ai është fajtor dhe të largojë trupat e tij", thotë Ivani, një avokat i pensionuar.

Sheshi Pavarësia është ende një vend pelegrinazhi për nderimin e atyre që u vranë në protestat që përmbysën ish presidentin Viktor Janukoviç.

Votimet e së dielës janë si një triumf pas trazirave disa muajshe, duke përfshirë aneksimin me forcë të Krimesë nga Rusia dhe dhunën e seperatistëve në lindje të mbështetur nga rusët. Shumica e vendvotimeve në atë rajon mbetën të mbyllura gjatë zgjedhjeve.

Por shefi i grupit të vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ish- kryebashkiaku i Lisbonës Joao Soares, thotë se rezultati duhet të respektohet gjithsesi.

"Këto zgjedhje dëshmuan frymën demokratike të njerëzve të Ukrainës, të cilët kishin mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre në kutitë e votimit me një pjesëmarrje të lartë".

Një nga vëzhguesit amerikanë, ish- ligjvënësi Mark Green, i tha Zërit të Amerikës se votimet në lindje nuk do të kishin ndryshuar rezultatin.

"Në çdo vend që ne pamë pjesëmarrja në zgjedhje ishte fizikisht e mundur dhe zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Kjo ndodhi në pjesën më të madhe të vendit".

Ish ligjvënësi amerikan Mark Green dhe shefi i grupit vezhgues të OSBE-së, Joao Soares theksuan angazhimin e ukrainasve për të mbajtur zgjedhje të drejta në rrethana shumë të vështira. Por zoti Green tha se është e rëndësishme të kujtojmë se zgjedhjet janë vetëm fillimi i një përpjekje të re për të trajtuar problemet e shumta të vendit.
XS
SM
MD
LG