Lidhje

Diplomatja amerikane Nuland kërkon falje për komentet për BE


Një diplomate e Departamentit amerikan të Shtetit ka kërkuar falje për komente të pakëndshme që ka bërë lidhur me Bashkimin Evropian, ndërsa bisedonte me një diplomat tjetër amerikan për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara po kritikojnë Rusinë për rolin në rrjedhjen e informacionit për bisedën mes dy diplomatëve amerikanë.

Në një inçizim që është postuar në YouTube, duket se janë zërat e Ndihmës Sekretares së Shtetit Victoria Nuland dhe Ambasadorit amerikan në Ukrainë Geoffrey Pyatt.

Pjesëmarrësit në bisedë diskutojnë për përpjekjet ndërkombëtare për të zgjidhur krizën politike në Ukrainë dhe në një moment, zëri që duket se është i zonjës Nuland përdor një shprehje banale, duke sugjeruar që qëndrimi i Bashkimit Evropian duhet shpërfillur.

Zonja Nuland ndodhet në Ukrainë ku është takuar me Presidentin Viktor Yanukovych lidhur me protestat anti-qeveritare të vendit, por nuk dihet nëse biseda e saj telefonike u diskutua në takim.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki foli dje me gazetarët lidhur me rolin e mundshëm të Rusisë.

“Është një temë që ata e kanë përhapur intensivisht, duke postuar në internet, me mesazhe në Twitter dhe sigurisht ne mendojmë se kjo është një tjetër lëvizje e ulët”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit nuk komentoi për burimin e inçizimit megjithëse Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia kishte pasur një rol të ndjeshëm në qarkullimin e tij.

Rusia nuk është u është përgjigjur akuzave amerikane.
XS
SM
MD
LG