Lidhje

Ukrainasit të ndarë mbi konfliktin në lindje


Një anketë e re e organizatës Gallup tregon një ndarje të gjerë në atë se si ukrainasit dhe banorët e gadishullit të Krimesë, të aneksuar nga Rusia, e shohin konfliktin në vendin e tyre. Ukrainasit në përgjithësi kanë një prirje të jenë të ndarë në bazë të rajoneve ku ata jetojnë dhe përkatësisë etnike.

Përleshjet e armatosura midis kryengritësve pro-rusë në Ukrainën lindore që duan të shkëputen nga Ukraina dhe forcave të qeverisë së Kievit janë të përditshme. Ndërsa në Ukrainën perëndimore ka një paqe relative.

Një anketë e re e organizatës Gallup tregon se ka një një ndarje të madhe në mes të Ukrainës perëndimore dhe asaj lindore. Presidenti i organizatës Freedom House me bazë në Uashington, David Kramer, thotë se ndarja filozofike në Ukrainë është në rritje.

"Ajo që po shohim tani është një ndarje më e gjerë e cila po ndodh si rezultat i ndikimit dhe presionit rus. Kjo ndarje është më e madhe tani, se sa në fillim të ngjarjeve të muajit mars në Krime".

Gallup ka intervistuar një mijë e 400 ukrainas, dhe 500 banorë të Krimesë në prill, një muaj pasi Moska mori kontrollin e këtij territori ukrainas. Anketa është financuar nga agjencia e qeverisë amerikane, Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet, që mbikqyr Zërin e Amerikës.

Anketa tregon se mbështetja për rolin amerikan në krizën e tanishme është shumë më e madhe në Ukrainën Perëndimore se sa në rajonet lindore dhe jugore të vendit, dhe në Krime roli amerikan nuk mbështetet pothuaj aspak.

Anketuesja e Gallupit, Neli Esipova thotë se ndarja mes ukrainasve nuk është një surprizë.

"Në tetë, nëntë vitet e fundit, kur kemi mbledhur të dhëna në Ukrainë, i kemi parë këto dallime në shumicën e aspekteve të jetës. Për çdo situatë politike që ne bëjmë anketa, madje edhe për çështjet ekonomike në vend, ndarjet mes rajoneve të ndryshme dhe mes grupeve të ndryshme etnike kanë qenë të pranishme, dhe qeveria nuk i ka kushtuar atyre vëmendje ".

Anketa që kemi bërë me banorët e Krimesë pas aneksimit të saj nga Rusia tregon se ata janë jashtëzakonisht të lumtur që janë pjesë e Rusisë. Gati 75 përqind e të anketuarve thonë se jeta e tyre do të përmirësohej më shumë, nëse rajoni do të jetë pjesë e Rusisë.

"Kjo është pjesë e Rusisë tani, dhe ju mund ta shihni se mbështetja për qeverinë ruse është e madhe".

David Kramer mendon se, me kalimin e kohës, banorët e Krimesë mund të rishikojnë mbështetjen e tyre për Rusinë.

"Unë do të thoja le t’i pyesim banorët e Krimesë pas një kohe dhe të shohim nëse jeta në fakt vërtet është përmirësuar për ta. Rusia ka bërë premtime të shumta, si rritjen e pagave dhe pensioneve, që do t’i kushtojnë qevrisë ruse shumë para. Rusia tani ekonomikisht nuk është në një pozicion të mirë për t’i realizuar këto premtime".

Anketa tregon se ukrainasit janë të ndarë në mënyrë të barabartë në lidhje me gatishmërinë e tyre për të pranuar një standard më të ulët të jetesës për një ose dy vjet, ndërsa qeveria e Kievit përpiqet të përmirësojë ekonominë e brishtë të vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG