Lidhje

Rezultatet paraprake: Poroshenko fiton zgjedhjet në Ukrainë

  • Al Pessin

Ish ministri i jashtëm i Ukrainës Petro Poroshenko me sa duket ka fituar zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë se 50% të votës, gjë që e bën të panevojshëm zhvillimin e balotazhit, siç rezultojnë anketat me votuesit që sapo kishin hedhur votat.

Anketat e zhvilluara nga organizata të ndryshme thonë se zoti Poroshenko mori 56-58% të votave, krahasuar me rivalen Yulia Tymoshenko, e cila duket të ketë marrë rreth 13%. Zonja Tymoshenko pranoi disfatën në një fjalim mbrëmë.

Analistët kritikuan zyrtarët e zgjedhjeve për radhët e gjata në disa qendra votimi deri vonë mbrëmë, për të cilën fajësuan masat e dobëta organizative. Anketuesit thanë se e rritën koefiçientin e gabimit në llogaritje, si rezultat i radhëve të gjata, por nuk duket se kjo do të ndikojë te rezultati.

Zoti Poroshenko falenderoi votuesit, veçanërisht ata që udhëtuan nga Krimea e kontrolluar nga rusët, për të hedhur votën.

Zoti Poroshenko thotë se akti i tij i parë do të jetë të sjellë paqen në lindje. Ai tha se udhëtimi i parë që do të zhvillojë do të jetë në rajonet lindore.

Në Ukrainën lindore, separatistët me mbështetje ruse kanë marrë nën kontroll disa qytete dhe ndërtesa publike dhe janë angazhuar në luftime të përgjakshme me forcat qeveritare.

Zoti Poroshenko thotë se lufta e tij e re do të jetë kundër korrupsionit dhe se ai do të thellojë lidhjet me Bashkimin Evropian.

Paraardhësi i tij Viktor Yanukovych, shkaktoi protesta masive kur nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje asociimi me BE dhe zgjodhi të nënshkruante një marrëveshje me Rusinë.

Pjesëmarrja në votime ishte e konsiderueshme në një pjesë të mirë të vendit, duke kapërcyer 50% në shumë zona. Por në dy rajonet lindore qindra qendra votimi nuk u hapën dhe të tjerat regjistruan pjesëmarrje të ulët. Vëzhguesit thanë se separatistët frikësuan votuesit dhe punonjësit e zgjedhjeve.

Po ashtu, përleshjet mes separatistëve dhe forcave qeveritare vazhduan të paktën në një zonë dje.

Një votues në Kiev, një student i cili prezantohet me emrin Volodymyr, foli për shpresat e shumë ukrainasve për zgjedhjet e djeshme.

"Shpresoj që këto votime do të na sjellin konsolidim, do të na sjellin reforma ekonomike dhe do ta bëjnë vendin vërtetë evropian”.

Mijëra ukrainas dhe vëzhgues ndërkombëtarë ndoqën zgjedhjet. Nuk ka pasur njoftime për probleme serioze përveç atyre në lindje të vendit. Vëzhguesit e huaj do të japin sot raportin e tyre zyrtar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG