Lidhje

Parlamenti i Ukrainës voton për heqjen e Pres. Yanukovych


Parlamenti i Ukrainës votoi për largimin nga pushteti të Presidentit Viktor Yanukovych dhe bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme më 25 maj, ndërkohë që zoti Yanukovych, tha se nuk do japë dorëheqjen dhe as nuk do të largohet nga Ukraina. Sot Parlamenti votoi gjithashtu në favor të lirimit të udhëheqëses së burgosur të opozitës

Yulia Tymoshenko, e cila ka qenë kryeministre e Ukrainës. Më pas ajo u lirua nga një spital burgu në qytetin verilindor Kharkiv, ku ajo po kryente dënimin për abuzim me pushtetin. Zonja Timoshenko, kundërshtare prej një kohe të gjatë e zotit Yanukovych, tha pas lirimit të saj, se “diktatura u rrëzua.” Në një intervistë që dha sot për një televizion ukrainas, zoti Yanukovych tha se ai synon të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.

Ai e cilësoi kryengritjen e dhunshme kundër tij një shembull të një grushti shteti dhe e krahasoi atë me ardhjen në pushtet të nazistëve në Gjermani në vitet 1930. Presidenti, i cili ndodhet në qytetin Kharkiv, pranë kufirit me Rusinë, po ashtu tha se të gjitha vendimet e marra sot nga parlamenti i Ukrainës ishin të paligjshme.

Këto zhvillime dramatike ndodhën, ndërsa turma njerëzish u mblodhën para ndërtesës së Parlamentit të Ukrainës, me kërkesën për dorëheqjen e zotit Yanukovich. Mijëra protestues u mblodhën në Kiev, në Sheshin e Pavarësisë, për të kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar dje mes presidentit ukrainas dhe opozitës, e cila synonte që t’i jepet fund krizës politike në vend.
XS
SM
MD
LG