Lidhje

Perëndimi fajëson Kievin për dhunën

  • Zllatica Hoke

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve të qeverisë së Ukrainës që konsiderohen përgjegjës për përdorim të tepruar të forcës kundër demonstruesve anti-qeveritarë. Përleshjet mes policisë dhe protestuesve në kryeqytetin Kiev kanë vazhduar, pavarësisht vendosjes së një armëpushimi që synonte parandalimin e gjakderdhjes së mëtejshme. Disa analistë thonë se sanksionet mund të mos kenë ndikim serioz tek qeveria ukrainase e mbështetur nga Rusia.

Imazhet filmike të forcave speciale të policisë duke vënë në shënjestër të snajperave dhe armëve të tyre automatike, protestuesit në Kiev, kanë ngjallur zemërim të gjerë.
Në Uashington, zv/zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një shumëllojshmëri hapash për të bërë që qeveria të ndalë dhunën në Ukrainë:

"Populli amerikan shqetësohet me të drejtë – pa dyshim që dhe presidenti Obama shqetësohet – sa herë që shohim të drejtat themelore të kujtdo në botë të shkelen në mënyrë flagrante. Kjo duket se po zhvillohet në Ukrainë dhe është burim shqetësimi i madh këtu në Shtëpinë e Bardhë."

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione udhëtimi dhe ekonomike kundër zyrtarëve të nivelit të lartë të Ukrainës, por analisti Steven Pifer, i Institutit Brookings në Uashington, thotë se sanksionet duhet të përfshijnë edhe njerëzit e biznesit, aleatë me presidentin Viktor Janukoviç.

"Ka njerëz të afërt me zotin Janukoviç që kanë apartamente dhe shtëpi në vende si Vjena e Londra. Ata përdorin bankat e Perëndimit, dërgojnë fëmijët në shkollat e Perëndimit. Nëse ata shohin t’u rrezikohet mundësia për të udhëtuar dhe për të zhvilluar aktivitetet e tyre financiare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, mendoj se kjo do të kishte ndikim dhe mund ta bënte zotin Janukoviç të ndryshojë qëndrim dhe të veprojë ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë tre ditëve të fundit."

Protestat u nxitën nga vendimi i qeverisë ukrainase në nëntor për të refuzuar një marrëveshje politike dhe ekonomike me Evropën, duke nënshkruar në vend të saj një marrëveshje me Rusinë. Analisti Lawrence Korb i Qendrës për Përparim Amerikan thotë se Presidenti rus Vladimir Putin i ka ofruar ish-republikës sovjetike një marrëveshje shumë të mirë.

"Rusia me Ukrainën është perandori, ndërsa pa Ukrainën nuk është e tillë. Kështu që, psikologjikisht, është shumë e rëndësishme për Presidentin Putin që Ukraina të mos afrohet tepër me Bashkimin Evropian."

Zoti Korb thotë se vendet perëndimore nuk do të arrijnë përparim të madh në Ukrainë nëse nuk përfshijnë Moskën, e cila mbështet presidentin pro-rus të Ukrainës. Anders Aslund, një ekonomist suedez i Institutit Peterson në Uashington, është dakord se çdo marrëveshje mes Evropës Perëndimore dhe Ukrainës duhet të jetë e pranueshme për Rusinë.

"Perëndimi duhet të bisedojë me Rusinë në mënyrë që ajo të luajë një rol disi më pak të dëmshëm nga ai që po luan për momentin."

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi dje opozitën ukrainase se po përpiqet të nisë një luftë civile. Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Bagdad, ndërsa protestuesit në Kiev sulmuan barrikadat e policisë dhe përleshjet vazhduan.

"Ne mbështesim idenë e opozitës në Ukrainë në mënyrë ligjore dhe kushtetuese, që të mund të kapërcejmë këtë krizë dhe së bashku të luftojmë ekstremistët dhe mbështetësit e qëndrimit të ashpër, të cilët po përpiqen të shkaktojnë luftë civile."
Disa analistë paralajmërojnë gjithashtu se Ukraina rrezikon të copëtohet dhe kanë bërë thirrje për veprime që sigurojnë një armëpushim të menjëhershëm, i konsideruar thelbësor për fillimin e një dialogu lidhur me të ardhmen e vendit.
XS
SM
MD
LG