Lidhje

Obama, Putin diskutojnë krizën në Ukrainë


Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti rus Vladimir Putin biseduan në telefon për krizën në Ukrainë. Zoti Obama shprehu shqetësim për mbështetjen e Rusisë ndaj separatistëve në Ukrainën lindore.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama shprehu gjithashtu shqetësim në lidhje me mosrespektimin nga Rusisë të traktatit të vitit 1987 për raketat balistike me rreze të mesme veprimi, që Uashingtoni thotë se Moska e ka shkelur.

Kremlini, nga ana e tij, tha se zoti Putin i deklaroi presidentit amerikan se sanksionet e reja të vendosura këtë javë ndaj Rusisë për mbështetjen e saj ndaj separatistëve kanë patur efekt të kundërt dhe do të sjellin "dëme serioze në bashkëpunimin dypalësh dhe stabilitetin ndërkombëtar. "

Ndërkohë, disa dhjetra hetues ndërkombëtarë filluan punën në vendin e rrëzimit të avionit malajzian të udhëtarëve në Ukrainën lindore.

Hetuesit e Holandës dhe Australisë, së bashku me zyrtarë shoqërues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, filluan sot kontrollin e imtësishëm të vendit ku u rrëzua avioni.

Ata do të përqëndrohen në gjetjen e disa dhjetëra trupave që ende figurojnë të zhdukur si dhe në grumbullimin e sendeve personale të 298 njerëzve, që humbën jetën nga rrëzimi i avionit Boeing 777 muajin e kaluar.

Po sot, 10 parashutistë ukrainas u vranë në një pritë nga separatistët pro-rusë pranë qytetit Shakhtarsk, jo shumë larg nga zona e rrëzimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG