Lidhje

Presidenti i Ukrainës takohet me homologun rus në Moskë


Presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin për bisedime që mund t'i sigurojnë Kievit një kredi dhe një çmim më të ulët për gazin rus. Ndërkohë, në Ukrainë janë planifikuar demonstrata të reja pro Bashkimit Evropian.

Presidenti Yanukovych zhvilloi sot bisedime në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Ai u zotua për të forcuar marrëdhëniet tregtare ndërsa në Ukrainë vazhdojnë protestat kundër tij.

Ukraina, së cilës i nevojiten rreth 10 miliardë dollarë kredi për të mbajtur në këmbë ekonominë dhe për të përmbushur detyrimet e pagesës, po lëkundet midis Rusisë dhe Perëndimit për muaj të tërë në kërkim të një marrëveshjeje sa më të favorshme.
Rusia e kundërshton me forcë një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Ukrainës, vendi më i populluar pas Rusisë në bllokun post-sovjetik.

Në fillim të takimit, zoti Yanukovych shfaqi shpresë për një marrëveshje mbi importin e gazit rus me çmim më të ulët, duke thënë se besonte që dy krerët "nuk do ta pengojnë arritjen e një ujdie mes kompanive shtetërore të energjisë".

Putin nga ana e tij u ankua për një rënie në tregtinë midis dy vendeve.

"Ka ardhur koha që të marrim masa të fuqishme për t'u kthyer jo vetëm te niveli i viteve të mëparshme, por të krijojmë kushtet për të ecur përpara," tha zotin Putin.

Çdo marrëveshje me Rusinë mund të nxjerrë më shumë protestues në rrugët e Kievit, ku javët e fundit shifrat kanë arritur në qindra mijëra.

Udhëheqësit e opozitës ukrainase thanë sot se ata kanë grumbulluar pothuajse të gjitha nënshkrimet që nevojiten për të detyruar kabinetin e presidentit Viktor Janukoviç të japë dorëheqjen.

Anëtarët e partive opozitare të udhëhequra nga Arseniy Yatsenyuk bllokuan podiumin e kryetarit të parlamentit, duke penguar debatin mbi buxhetin e shtetit.
Yatsenyuk tha se në qoftë se presidenti i vendit i ngre bisedimet me Moskën në një nivel të ri, ai nuk do të jetë i mirëpritur të kthehet në Ukrainë.

"Në qoftë se zoti Yanukovych bie dakord të nënshkruajë bashkimin doganor me Rusinë, ne nuk do ta lejojmë të kthehet," tha ai.

Protestat filluan një muaj më parë, kur zoti Yanukovych refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me BE-në, duke u shprehur për lidhje më të ngushta me Rusinë.

Ukraina po përballet me krizën më të madhe politike në një dekadë pasi zoti Janukoviç nuk nënshkroi marrëveshjen e shumëpritur politike dhe tregtare me Bashkimin Evropian. Ai tha se presioni i madh tregtar nga Rusia nënkuptonte se së pari ai duhet të riparonte marrëdhëniet me Moskën.
XS
SM
MD
LG