Lidhje

Ukraina kërkon mbështetje për reformat


Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit të mbështesë përpjekjet e saj për reforma, megjithë akuzat se qeveria ka dështuar të luftojë korrupsionin, tre vjet që nga revolucioni që rrëzoi regjimin e presidentit Viktor Yanukovich. Aktivistët thonë se miliarda dollarë u përvetësuan nga arkat e shtetit – duke përfunduar në llogari bankare sekrete jashtë vendit.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko vizitoi Britaninë të mërkurën dhe i kërkoi Perëndimit të mbështesë përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin.

“Për reformat në Ukrainë, Kemi nevojë për mbështetjen tuaj të fuqishme.”

Disa javë pas trazirave të vitit 2014, Britania organizoi një konferencë për të ndihmuar në rimarrjen e parave të përvetësuara nga arka e shtetit – duke njoftuar gjatë takimit se Zyra e Mashtrimeve Serioze kishte bllokuar përpjekjet për të transferuar 30 milionë dollarë nga një bankë e Londrës për në Qipro.

Paratë ishin të Mykola Zlochevsky-it, ish ministër i Burimeve Natyrore të Ukrainës dhe mbaheshin në disa kompani anonime të ngritura në vende ku nuk paguhen taksa.

Zlochevsky e kundërshtoi padinë në një gjykatë të Londrës. Gjykatësi vendosi se provat e dhëna nga prokurorët ukrainas nuk vërtetonin se paratë ishin të vjedhura dhe urdhëroi që miliona dollarët t’i ktheheshin atij. Gazetari që mbulon rastet e korrupsionit Oliver Bullough ndoqi gjykimin:

“Prokurorët ukrainas në thelb minuan rastin e paraqitur nga Zyra e Mashtrimeve Serioze, duke e bërë të pamundur fitmin e rastit. Nuk është vetëm korrupsioni. Është gjithashtu një nivel i lartë paaftësie.”

Mykola Zlochevsky – i cili ka në pronësi një vilë madhështore në veri të Kievit – i ka mohuar akuzat. Ai u shpall i pafajshëm nën akuzat për korrupsion në Ukrainë dhe arriti marrëveshje për ta zgjidhur pa gjyq një padi për evazion fiskal:

“Zyra e Mashtrimeve Serioze, për t’i konfiskuar paratë, duhet të kërkojë bashkëpunim jo vetëm nga Ukraina por gjithashtu nga Qiprua, Letonia dhe Ishujt Britanik Virgin. Pra një numër agjencish ligjzbatuese duhet të bashkëpunojnë nga afër për të zbuluar të vërtetën.”

Shifrat e qeverisë tregojnë se 92 për qind e investimeve të bëra jashtë Ukrainës kanë shkuar në Qipro në vitin 2014, që njihet si një vend pa taksa.

Ndërkohë gati 100 miliardë dollarë të ashtuquajtura ‘para të pista’ pastrohen çdo vit përmes Londrës. Shumë vende pa taksa janë territore britanike. Një sërë ligjesh të reja synojnë të parandalojnë kriminelët të fshehin pasuritë e tyre. Kritikët dyshojnë se ato do të vihen në zbatim:

“Do të ishte e shkëlqyer që dikush të besonte se autoritetet kanë burimet për të gjetur rrënjët. Është një detyrë përtej kapacitetit të tyre.”

Në Ukrainë, përpjekjet për reformë duket të jenë bllokuar. Grupi i aktivistëve të Kievit, Qendra për Veprime Anti-Korrupsion pretendon se në nëntë muajt e parë të vitit 2016, qeveria arriti të rimarrë vetëm 6,000 dollarë pasuri të vjedhura – një fraksion shumë i vogël i objektivit të saj prej 320 milionë dollarësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG