Lidhje

Marrëdhëniet e Ukrainës me Perëndimin e Rusinë

  • Tatiana Vorozhko

Që prej shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, Ukraina ka luftuar për identitetin e saj, duke u luhatur mes Rusisë dhe Perëndimit. Megjithatë, ndërkohë që brezi i ri pas sovjetik po arrin moshën e pjekurisë, qendrimet pro-evropiane në Ukrainë duket se po marrin përparësi. Në muajin nëntor të këtij viti, Bashkimi Evropian dhe Ukraina do të nënshkruajnë Marrëveshjet e Asociimit dhe Tregtisë së Lirë që do ta largonin Ukrainën më tepër nga sfera ruse e influencës. Rusia po përpiqet të parandalojë këtë zhvillim, por disa ekspertë thonë se metodat e saj kanë pasoja negative.

Për të nënshkruar Marrëveshjet e Asociimit dhe Tregtisë së Lirë me Bashkimin Evropian, parlamenti i Ukrainës duhet të ndryshojë ligjet e vendit për t’i përshtatur ato me standardet evropiane.

Ish presidenti pro perëndimor ukrainas, Viktor Yushchenko, thotë se ky është shansi i fundit për Ukrainën:

"Ne nuk do ta kemi këtë shans pas një viti, pas dy vjetësh apo dhjetë. Ne kemi mjaft mangësi, duke filluar me sistemin zgjedhor, zbatimin e ligjit, problemet me standardet e dyfishta në zbatimin e ligjit, me korrupsionin e pashembullt dhe shumë të tjera. Por të gjitha këto probleme mund të zgjidhen vetëm duke u afruar më tepër me Evropën”.

Bashkimi Evropian po kërkon gjithashtu që t’u jepet fund ndëshkimeve të motivuara politikisht dhe të lirohet ish kryeministria Yulia Tymoshenko. Megjithëse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se e drejta e saj për një gjykim të drejtë ishte shkelur, ajo ende mbahet në burg nën akuzuar për abuzim me pushtetin.

Ish ambasadori amerikan në Ukrainë, Steven Pifer, tha se lirimi i Tymoshenko-s është me shumë rëndësi:

"Në qoftë se ata nuk janë të gatshëm të bëjnë diçka për Tymoshenko-n, mendoj se do të jetë shumë e vështirë, nga sa dëgjojmë tani, që një numër i madh shtetesh të Bashkimit Evropin të nënshkruajnë Marrëveshjen e Associimit”.

Ndërkaq, Rusia, e cila po përpiqet ta mbajë Ukrainën në orbitën e saj, po ofron një alternativë, hyrjen në Bashkimin Doganor. Ukraina nuk duhet të plotësojë kushte dhe do të ketë tregti të lirë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin, si dhe do të paguajë çmime më të ulta për gazin natyror nga Rusia.

Në muajin gusht, Rusia bllokoi importet nga Ukraina. Papritur, disa mallra nuk arritën të përmbushtin standardet ruse të sigurisë dhe cilësisë, ose patën vështirësi të kalonin doganën.

Anders Aslund i Institutit Peterson në Uashington e shikon këtë lëvizje si një formë presioni.

"Rusia po tregon në fakt se ka një ndikim të madh, pasi një e katërta e tregtisë së Ukrainës bëhet me Rusinë. Ukraina ka qënë në recesion për një vit, me rënin e prodhimit të përgjithshëm 1 – 2% për çdo tremujor, gjendja financiare e vendit është e keqe. Kështu, Presidenti Putin duket se është i vendosur ta gjunjëzojë Ukrainën”.

Si rezultat, politikanët ukrainas po bëjnë thirrje për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian, duke premtuar të plotësojnë të gjitha kërkesat sa më parë që të jetë e mundur.

Evropianët u indinjuar nga veprimet e Rusisë ndaj fqinjëve të saj, të cilët kërkojnë partneritet me Evropën.

Ministri i Punëve të Jashtëve të Suedisë, Carl Bildt thotë:

"Atjo që kemi parë gjatë disa javëve të fundit është një presion brutal i Rusisë kundër vendeve partnere, diçka që nuk e kemi parë për një kohë të gjatë. Mendoj deri një farë mase se ata po e bëjnë këtë pasi e gjithë vemendja e botës është përqendruar tek Siria, ata mendojnë se kjo nuk do të bjerë shumë në sy. Prandaj është me rëndësi që ne t’i ksuhtojmë vemendje”.

Ndikimi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk kufizohet tek tregtia. Ai ka një prani të fortë në politikë, në media dhe në ushtrimin e fesë.

Drejtori i Institutit Kennan, Matthew Rojanski, beson se Rusia do të vazhdojnë të ushtrojë ndikimin e saj ndaj politikës së Ukrainës, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit.

"Kjo më ngjall shqetëm, sepse edhe nëse Ukraina nënshkruan Marrëveshjen e Asociimit me Evropën, edhe nëqoftëse ekonomia e Ukrainës rritet në mënyrë konstante, arsimi bëhet më gjithëpërfshirës dhe ukrainasit kanë lidhje më të mëdha si me perëndimin ashtu edhe me lindjen, mundësia për të ndërhyrë në mënyrë destruktive në zhvillimin e Ukrainës është gjithmonë e pranishme, ose do të jetë e pranishme mjaft gjatë sa që zhvillimi të mos jetë funksional”.

Megjithëkëtë, shumë ukrainas duken të gatshëm që vendi të afrohet më shumë me Evropën.

Sipas sondazhit më të fundit, 41% e ukrainasve mbështesin hyrjen në Bashkimin Evropian dhe 31% janë në favor të Bashkimit Doganor.

XS
SM
MD
LG