Lidhje

Ukraina dhe kërcënimi ushtarak rus


Parlamenti i Ukrainës voton për të miratuar udhëheqjen e re të vendit, ndërkohë që ka patur ankesa se qeveria është duke u formuar para se njerëzit të kenë kohë të mjaftueshme për të studiuar kandidatët. Ligjvënësve ukrainas po u bëhet thirrje për të formuar një qeveri që përfaqëson të gjitha segmentet e shoqërisë.

Ambasadori ukrainas në Shtetet e Bashkuara, Oleksandr Motsyk, i tha Zërit të Amerikës se Ukraina tani ka një pushtet legjitim, qëllimi kryesor i të cilit është të stabilizojë vendin:

"Tani detyra kryesore është të punojmë për çështjet ekonomike dhe për sigurinë, për çështje të tilla si tërësia territoriale e Ukrainës dhe qëndrueshmëria e kufijve, qetësimi i situatës dhe forcimi i stabilitetit."

Ukraina ka një popullsi të konsiderueshme rusishtfolëse, kryesisht në rajonin e Krimesë, pranë Detit të Zi. Njerëzit në këtë rajon kanë shprehur shqetësim për të ardhmen e tyre në Ukrainë, pas largimit të presidentit Viktor Janukoviç. Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë urdhër për një stërvitje ushtarake urgjente në zonat ruse pranë kufirit me Ukrainën. Udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar Moskën kundër çdo ndërhyrjeje në Ukrainë.

Zoti Motsyk vlerëson Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit të tij:

"Është shumë e rëndësishme t'i tregohet gjithë botës se askush nuk ka të drejtë të luajë ndonjë kartë, duke përfshirë kartën e Krimesë, është e rëndësishme gjithashtu që t'i sigurohet Ukrainës sa më shpejt një paketë ndihme ekonomike dhe financiare."

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa u kanë bërë thirrje udhëheqësve të rinj të Ukrainës të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse për të shpëtuar vendin nga shpërbërja.

Analisti politik Ilan Berman në Këshillin për Politikën e Jashtme Amerikane në Uashington thotë se nuk ka rëndësi se cilët politikanë do të përbëjnë qeverinë e re, por çfarë politikash do të ndjekin ata:

"Mendoj se, mes të tjerash, ekziston një kërcënim mjaft i madh dhe i besueshëm ushtarak nga ana e Rusisë, ekziston natyrisht edhe një trysni e Rusisë, që ka të ngjarë të ndikojë në procesin e e përzgjedhjes së kandidatëve, pra që ata të jenë të pranueshëm nga pjesa rusishtfolëse e vendit."

Shumë ukrainas e kuptojnë këtë dhe thonë se nuk ka nevojë të shkarkohen të gjithë anëtarët e qeverisë së mëparshme.

"Disa duhet të qëndrojnë por shumica duhet të jenë të rinj," thotë Galina, banore e Kievit.

Të tjerë mendojnë se shpërbërja e policisë speciale ishte e gabuar.

"T'i shpërndash ata dhe t'i lësh pa punë, nuk është zgjidhje praktike. Ç'do të bëjnë gjithë këta njerëz? Ndoshta nesër ata do të vjedhin e do të vrasin," thotë Artyom, banor i kryeqytetit.

Analistët thonë se e ardhmja e Ukrainës mund të varet nga aftësia e saj për të siguruar ndihmë ekonomike dhe për të rivendosur qetësinë në javët e ardhshme.
XS
SM
MD
LG