Lidhje

Moska: 300 kamionë me mision humanitar, jo "Kalë Troje"


Një autokolonë e madhe ruse me ndihma humanitare, vazhdon të qëndrojë e bllokuar pranë kufirit me Ukrainën, në pritje të garancive për sigurinë, që të lejohet të hyjë në Ukrainë.

Rreth 300 kamionë janë parkuar jashtë qytetit rus Kamensk-Shakhtinsky, në pritje të lejes së kalimit për në Ukrainën lindore. Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar do të ketë përgjegjësinë për shpërndarjen e ndihmave ukrainasve, që kanë mbetur në mesin e konfliktit me forcat ukrainase dhe atyre separatiste.

Të shtunën, kryetari i delegacionit të Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për Rusinë, Pascal Cuttat, tha se Moska dhe Kievi kanë rënë dakord për kushtet e lejimit, inspektimit dhe përgatitjes së ndihmave. Ai tha se garanctitë për sigurinë nevojiteshin nga të gjitha palët, para se kamionët të hyjnë në Ukrainë. Zyrtarët ukrainas thonë se kanë filluar tashmë inspektimin e autokolonave me ndihma.

Moska tha se misioni është vetëm humanitar, por Kievi dhe Perëndimi kanë shprehur shqetësime, se ai mund të shërbejë si një "Kalë Troje" për një pushtim të mundshëm rus, ose si një mënyrë për riarmatosjen e rebelëve pro-rusë, të cilët kanë pësuar humbje.

Të shtunën, nënpresidenti amerikan Joe Biden foli me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, me të cilin bisedoi për situatën në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit ritheksuan mbështetjen e tyre për një zgjidhje diplomatike të krizës dhe i bënë thirrje Rusisë të hyjë në bisedime të besimit të mirë.

Ministrat e jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë pritet të takohen të dielën për të diskutuar mbi tensionet në Ukrainë.

Takimi do të mbahet në Berlin. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier i tha gazetës Bild se ai shpreson që bisedimet të ndihmojnë për t'i dhënë fund dhunës në Ukrainën lindore dhe për t'u dërguar ndihma humanitare banorëve të rajonit të rrënuar nga lufta.

Presidenti francez François Hollande dhe presidenti i Komisionit Evropian Joze Manuel Barroso u takuan të shtunën. Më pas, zoti Hollande i bëri thirrje Rusisë që të respektojë tërësinë tokësore të Ukrainës.

Ai i bëri gjithashtu thirrje Ukrainës të ushtrojnë përmbajtje në veprimet e saj ushtarake. Hollande tha se Franca është e gatshme për një takim të ri për këtë çështje dhe shtoi se takimi i së dielës do të ishte një hap i parë drejt këtij qëllimi.

XS
SM
MD
LG