Lidhje

Ukraina mobilizon ushtrinë dhe thërret rezervistët


Qeveria e përkohëshme e Ukrainës ka urdhëruar sot mobilizimin total të ushtrisë, në përpjekje për t’u përballuar me atë që kryeministri i ri thotë se është akt lufte nga Rusia.

Kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk, gjatë një fjalimi në parlament, i paralajmëroi ligjvënësit se vendi ishte në prag të një katastrofe. Fjalimi i tij erdhi ndërkohë që trupat ruse vazhdonin të zinin pozicione në gadishullin ukrainas të Krimesë. Qeveritë perëndimore gjithashtu kanë përsëritur dekleratat e tyre dënuese mbi dislokimin rus.

NATO zhvilloi një sesion emergjent të dielën për të diskutuar krizën për të cilën Sekretari i Përgjithëshëm Anders Fogh Rasmussen tha se po kërcënon paqen dhe stabilitetin në mbarë Evropë. Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ulë tensionin në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Ramussen tha se NATO mbështet të drejtën e popullit të Ukrainës për të vendosur për të ardhmen e tij. Ai tha sot se Ukraina është partner i "vlefshëm" i NATO-s dhe i kërkoi Rusisë të ulë tensionet në rajon.

Sot në Uashington, Sekretari i Shtetit John Kerry sulmoi ashpër dislokimet ruse duke i quajtur ato “një akt të pabesueshëm agresioni”. Ai paralajmëroi gjithashtu mundësinë e sanksioneve ekonomike kundër Moskës për veprime ushtarake që i lidhi me sjellje të “shekullit të 19-të” bazuar “në një pretekst të sajuar”.

Presidenti amerikan Barak Obama dje zhvilloi një bisedë telefonike 90 minutëshe me homologun e tij rus, duke shprehur shqetësimet e thella për atë që po ndodh në Ukrainë.

Zyrtarët thonë se zoti Obama i tha presidentit rus se veprimet e Rusisë janë shkelje e qartë e sovranitetit të Ukrainës dhe e ligjit ndërkombëtar.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë pjesëmarrjen në takimet për t'u përgatitur për samitin e G8 që do të mbahet këtë vit në Soçi të Rusisë.

Agjencitë ruse të lajmeve thonë se zoti Putin i tha Presidentit Obama se Moska ruan të drejtën për të mbrojtur rusët etnikë, nëse ka dhunë në Krime apo në Ukrainën lindore.

Në Kombet e Bashkuara SHBA po bën thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Ukrainë.

"Ekziston një rrugë e qartë përpara e cila do të ruante sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do të trajtonte shqetësimet e Rusisë. Së pari, Rusia duhet të angazhohet drejtpërsëdrejtë me qeverinë e Ukrainës. Së dyti, në Ukrainë duhet të dërgohen monitorues dhe vëzhgues ndërkombëtar të OKB-së dhe OSBE-së. Kjo është mënyra më e mirë për të mbledhur faktet, për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar abuzimet."

Ambasadori i Ukrainës në OKB Yuriy Sergeyev i tha Këshillit të Sigurimit se 15 mijë trupa ruse tashmë janë dislokuar në Krime nën pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve rusë.

"Ne jemi të gatshëm për konsultime. Por ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave ruse sepse prania e tyre në Krime është e paligjshme. Ne jemi të gatshëm të vendosim për të zgjidhur problemet apo shqetësimet që ka Rusia, por ata duhet të kthehen në vendin e tyre."

Ambasadori i Rusisë në OKB thotë se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e ndikimeve të jashtme që po pengojnë zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Ambasadori rus thotë se kokat e ftohta duhet të triumfojnë për të mundësuar një rrugë politike për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Një autokolonë me qindra trupa ruse sot u nis në drejtim të kryeqytetit të provincës ukrainase të Krimesë, një ditë pasi ushtria e Rusisë mori nën kontroll gadishullin strategjik të Detit të Zi.

Njerëz të armatosur në uniforma ushtarake, pa shenja sot u panë në qendër të Simferopolit, në sheshin Lenin, jashtë ndërtesës së Këshillit të Ministrave.

Alexey Kirilov, një banor i Krimesë, mirëpriti praninë e forcave të sigurisë në këtë rajon.

“Mendoj se është normale që ata po na ndihmojnë të ruajmë paqen dhe qetësinë në qytet. Këtu nuk ka patur zjarre dhe të shtëna. Nëse nuk do të kishim praninë e këtyre forcave, situata do të ishte e ndryshme”, thotë ai.

Ndërkohë dje në Kharkiv, 97 njerëz u plagosën në përleshjet mes protestuesve pro-rus dhe mbështetësve të qeverisë së re ukrainase, kur protestuesit pro-rus i nxorën jashtë ndërtesës qeveritare zyrtarët e qeverisë së re ukrainase dhe zëvendësuan flamurin ukrainas me atë rus.
Ukraina po mobilizon rezervistët e saj ushtarakë në përgjigje të vendimit të parlamentit rus për dislokimin e trupave në Krime.

Andriy Paruby, zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë, tha sot se urdhëri për mobilizimin e rezervistëve është një përpjekje për të "garantuar sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës."

Problemet në Ukrainë filluan në nëntor, kur presidenti i rrëzuar Viktor Yanukovych hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta dhe ndihmës ekonomike nga Rusia.
XS
SM
MD
LG