Lidhje

Bisedime Rusi-Ukrainë mbi çështjen e gazit


Një zyrtar rus thotë se Ukraina dhe Rusia po zhvillojnë takime për të zgjidhur një mosmarrëveshje rreth gazit natyror, pasi Moska kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet nëse Ukraina nuk paguan borxhet. Mosmarrëveshja i shtohet tensionit mes dy vendeve, ndërsa Ukraina përballet me një kryengritje pro-ruse në rajonet lindore të vendit.

Një zëdhënëse e ministrisë ruse të energjisë tha se zyrtarë ukrainas dhe rusë të energjisë, si dhe një përfaqësues i Bashkimit Evropian, u takuan në Bruksel për të zhvilluar bisedime rreth çështjes së gazit.

Në thelb të mosmarrëveshjes mes dy vendeve qëndron çështja se sa duhet të paguajë Ukraina për gazin rus. Moska ka kërcënuar të ndërpresë furnizimin që këtë javë nëse Kievi nuk paguan borxhet, një veprim që do të pengonte dhe furnizimet në Evropë.
Në muajin prill, Rusia gati dyfishoi çmimin e gazit për Ukrainën. Ky vendim erdhi pas heqjes nga posti të ish-presidentit prorus të Ukrainës Viktor Janukoviç.

Rusia ka zemëruar gjithashtu Ukrainën me anë të aneksimit të Krimesë në muajin mars, ndërsa luftëtarë rusë janë parë gjithashtu mes rebelëve të përfshirë në një kryengritje separatiste në Ukrainë lindore. Moska mohon akuzat.

Valentin Zemlyansky, ish-zëdhënës i kompanisë Ukrainase të gazit Naftogaz, thotë se pavarësisht perj këtyre konflikteve mes dy vendeve, ai pret që palët të mbetet pragmatike gjatë negociatave të gazit.

"Situata aktuale në vend ka më shumë ndikim në opinionin e shoqërisë sesa në marrëdhëniet rreth çështjes së gazit," thotë ai.

Presidenti i ri ukrainas Petro Poroshenko, i cili mori detyrën të shtunën, ka kërkuar një armëpushim gjatë kësaj jave në rajonin e trazuar Donbas, në zemrën e kryengritjes pro-ruse. Në fjalimin e tij të përurimit, ai premtoi amnisti për luftëtarët të cilët nuk kanë gjak ukrainas mbi duart e tyre.

Ndërkohë, forcat separatiste e akuzojnë ushtrinë e Ukrainës për vrasje të civilëve gjatë operacioneve kundër kryengritjeve.

Në provincën Donetsk, të dielën, një komandant separatist mbajti një konferencë për shtyp së bashku me gjashtë ushtarë të kapur të Ukrainës.

Komandanti Sergey Zdriluk tha se beson se do të vijë një moment kur ushtarët ukrainas të fillojnë të kuptojnë se janë duke vrarë popullin e tyre. Komandanti separatist u kërkoi ushtarëve të kapur t'i përgjigjeshin pyetjeve lidhur me urdhërat ndaj tyre dhe nëse ata ndiheshin "të mashtruar." Më pas atyre iu bënë pyetje nga gazetarë rusisht-folës.

Një zëdhënës i të ashtuquajturit "operacioni anti-terror" i Ukrainës Vladyslav Seleznyov, denoncoi konferencën për shtyp si një farsë. Në një publikim në Facebook, ai bëri thirrje që ushtarët dhe të burgosurit e luftës të trajtohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG