Lidhje

Rusia tërheqë qindra ushtarë nga kufiri me Ukrainën


Rusia dje tërhoqi qindra ushtarë nga kufiri i saj me Ukrainën, ndërkohë që kryeministri rus Dimitri Medvedev vizitoi gadishullin e sapo aneksuar të Krimesë ku bëri premtime për lehtësimin e gjendjes ekonomike.

Hollësit e tërheqjes së trupave nuk ishin të qarta, por zyrtarët rusë dhe ata ukrainas pranuan se një numër i forcave ruse ishin tërhequr nga zona e tensionuar kufitare. Autoritetet ruse thanë se një batalion i trupave ruse është tërhequr nga zona kufitare me Ukrainën. Një batalion zakonisht përbëhet nga 500 deri 700 ushtarë. Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Moska ka vendosur 40 mijë ushtarë në rajonin pranë kufirit me Ukrainën.

Ndërkohë, kryeministri rus Dmitri Medvedev drejtoi një delegacion të ministrave të kabinetit të tij qeveritar në një vizit në qytetet kryesore të gadishullit ukrainas të Krimesë, i cili u pushtua nga forcat ruse në fillim të marsit dhe zyrtarisht u aneksua vetëm disa javë më vonë.

Autoritetet në Kiev e dënuan vizitën, duke e quajtur atë një "shkelje të rëndë" të protokollit diplomatik. Ministria e Jashtme e Ukrainës gjithashtu dërgoi një notë proteste zyrtare mbi vizitën e kryeministrit rus duke e quajtur atë vizit në një "territor të një shteti tjetër".
XS
SM
MD
LG