Lidhje

Lëvizjet e ushtrisë ruse në kufirin ukrainas


Petro Poroshenko

Petro Poroshenko

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se është jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me atë që e quajti lëvizje të ushtrisë ruse në juglindje të Ukrainës.

Shërbimi i tij i shtypit tha se zoti Poroshenko i bëri komentet në një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy. Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar për qëllimin e deklaruar të Rusisë për të dërguar një autokolonë të dytë me ndihma humanitare në Ukrainë.

Biseda vjen një ditë para një takimi të planifikuar mes zotit Poroshenko dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha sot se tanke dhe automjete të blinduara ruse kanë hyrë në Ukrainën juglindore. Ai tha se automjetet ushtarake ruse mbanin flamurët e separatistëve pro-rusë të Donetskut.

Sipas zyrtarit, autokolona mund të jetë duke u përpjekur për të hapur një front në jug të zonave ku ka patur më tepër luftime.

I pyetur për autokolonën, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nuk kishte dëgjuar gjë rreth saj dhe shtoi se rreth inkursioneve në rajon ka shumë dezinformacion.

Në prag të takimit Poroshenko Putin

Presidentët e Ukrainës dhe Rusisë pritet të takohen nesër në Minsk, në praninë e udhëheqësve evropianë, për bisedime mbi Ukrainën. Analistët politikë thonë se dialogu i shumë-pritur mund të ndihmojë për t’i dhënë fund luftimeve disa mujore midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në rajonet juglindore të vendit. Por shumë do të varet nga vendimet e një njeriu, presidentit rus, Vladimir Putin.

Ukraina festoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik me një paradë të forcave ushtarake, të cilat ajo shpreson që do të fitojnë ndaj separatistëve pro-rusë që kërcënojnë sovranitetin e rajoneve jug-lindore.

Luftimet kanë çuar në humbjen e jetës së mijëra vetëve dhe kanë çuar në thellimin e ndarjeve mes Rusisë, Ukrainës dhe vendeve të Perëndimit, të cilat akuzojnë Kremlinin për mbështetjen e rebelëve.

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, ai ukrainas Petro Poroshenko dhe udhëheqësit e BE pritet të takohen, ushtria e Ukrainës ka shënuar përparime në terren.

Paqja në Ukrainë, si gjithmonë, do të vendoset nga zoti Putin, thotë analisti dhe politikani i opozitës ruse Vladimir Ryzhkov:

“Ne nuk dimë, pasi asnjëherë nuk është thënë publikisht nga Kremlini, se cili është synimi kryesor strategjik i Rusisë. Në se synimi është krijimi i shteteve të reja pro-ruse ose gjysmë-shtete, në Donetsk dhe Luhansk, lufta mund të vazhdojë për muaj të tërë”.

Rebelët separatistë në Donetsk organizuan paradën e tyre me ushtarët ukrainas të kapur robër.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, po ushtron trysni për një armë-pushim afatgjatë dhe e diskutoi takimin e Minskut me zotin Poroshenko gjatë vizitës së saj në Kiev.

Gjermania mund të jetë çelësi i negociatave midis të dy palëve, thotë Viktor Mizin, analist në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare:

“Tani që marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar kaq shumë, Gjermania është bërë ndërmjetësi kryesor për Rusinë në arenën ndërkombëtare. Ky është një rol shumë i rëndësishëm dhe mendoj se kancelarja Merkel e ka kuptuar këtë”.

Por në kryeqytetin e Ukrainës, mësuesit Yuri dhe Yulia nuk besojnë se zoti Putin do t’u bëjë trysni rebelëve që t’u japin fund luftimeve.

“Ne nuk besojmë pasi mendoj se zoti Putin do të kërkojë lëshime të tjera. Rusia do t’i kundërshtojë pikëpamjet dhe synimet e Ukrainës për të ardhmen,” thotë Yuri.

Por të tjerë thonë se zoti Putin mund të jetë i interesuar për një marrëveshje, taji që ai ende është në pozita fituesi.

Në se në bisedime nuk shënohet përparim, gjendja mund të përkeqësohet më tej, thotë Alexey Malashenko i Qendrës Carnegei në Moskë:

“Të mos harrojmë se kjo luftë në territorin e Ukrianës mund të hyjë në Rusi. Jo në kuptimin e një lufte midis ukrainasve dhe Rusisë, por ndikimi i destabizilimit në Donbas, Luhansk dhe zonat përreth, mund të ketë ndikim në territoret ruse.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG