Lidhje

Poroshenko: Ukraina në “luftë të vërtetë” me Rusinë


Presidenti ukrainas Petro Poroshenko thotë se Ukraina është në një “luftë të vërtetë” me Rusinë, jo thjesht me separatistët pro-rusë.

Në një intervistë me BBC-në, zoti Poroshenko paralajmëroi se ai beson se Rusia po përgatit një ofensivë ushtarake për të cilën ukrainasit duhet të jenë të gatshëm. Ai tha se Ukraina nuk duhet t’i japë Rusisë “asnjë shans për provokim”.

Zoti Poroshenko tha se kapja të shtunën e dy ushtarëve rusë në Ukrainën lindore është “provë e fortë” se Rusia qëndron pas lëvizjes separatistë në lindje.

Dje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov lidhur me konfliktin në Ukrainën lindore. Stoltenberg bëri thirrjë që t’u jepet fund stërvitjeve ushtarake të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe tha se Rusia duhet të jetë më transparente për aktivitetet e saj ushtarake.

Lavrovi tha para takimit se do t’i dëgjonte shqetësimet e NATO-s.

Presidenti Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë kanë mohuar vazhdimisht se ushtarët rusë janë në Ukrainën Lindore, duke këmbëngulur se rusët që mund të jenë atje, janë “vullnetarë”.

XS
SM
MD
LG