Lidhje

Ukrainë, separatistët lirojnë vëzhguesit evropianë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e quajti një hap pozitiv lirimin e vëzhguesve evropianë, që ishin rrëmbyer më shumë se një javë më parë nga separatistët prorusë në Ukrainën lindore, por thotë se duhet bërë më shumë për të shtensionuar situatën.
Duke folur sot në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, zoti Kerry tha se është e rëndësishme që Rusia të heqë dorë nga mbështetja për separatistët, që kanë marrë nën kontroll një numër ndërtesash qeveritare në Lindje të Ukrainës. Zoti Kerry i bëri komentet pasi foli në telefon me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ministria e Jashtme ruse thotë se zoti Lavrov i tha zotit Kerry se Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorin ndikimin e tyre për ta bindur qeverinë ukrainase të ndalë operacionet ushtarake në juglindjen e vendit.

Shtatë vëzhguesit evropianë dhe pesë ndihmësit e tyre ukrainas ishin rrëmbyer më shumë se një javë më parë në qytetin Slovyansk. Sipas agjencive të lajmeve, një udhëheqës i kryengritësve, tha se urdhëroi lirimin e tyre sot për shkak të rritjes së pasigurisë në qytetin Slovyansk.

Ekipi i monitoruesve i udhëhequr nga Gjermania ishte duke vepruar nën autoritetin e një marrëveshje katërpalëshe që udhëzonte organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me qendër në Vienë, të vëzhgonte sigurinë dhe të drejtat e njeriut në pjesën lindore dhe jugore të Ukrainës me popullsi kryesisht rusisht-folëse. Separatistët e kishin kapur grupin e monitoruesve me pretendimin se disa anëtarë ishin spiunë.

Dje, forcat qeveritare të Ukrainës filluan ofensivën e parë në shkallë të gjerë në qytetin lindor Slovyansk, i cili ndodhet nën kontrollin e kryengritësve.

Po sot, qeveria e përkohshme e Ukrainës shpalli të paktën dy ditë zie në qytetin port Odesa, ku përplasjet e djeshme mes separatistëve prorusë dhe përkrahësve të qeverisë së Kievit rezultuan në të paktën 42 të vdekur. Policia atje tha se të paktën 31 njerëz - kryesisht prorusë - vdiqën si pasojë e një zjarri që përfshiu një ndërtesë, gjatë luftimeve mes separatistëve dhe përkrahësve të Kievit.

Ambasadori i Rusisë në OKB tha në një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit se veprimet e Ukrainës mund të nxisin dhunë të mëtejshme.

"Nëse sjelljet kriminale të Kievit nuk ndalen me shpejtësi, atëherë pasojat katastrofike për Ukrainën nuk mund të shmangen," tha zoti Vitaly Churkin.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB u përgjigj duke thënë se ndikimi i Moskës tek kryengritësit është nxitës i trazirave në Ukrainën lindore.

"Fakti që Ukraina ka ndërmarrë tashmë disa hapa duke u përpjekur të rivendosë rendin është diçka që pritej, është veprim i justifikuar, është ajo që secili nga shtetet që ne përfaqësojmë do të bënte në një situatë të ngjashme dhe ndoshta do të kishin reaguar shumë më herët," u shpreh ambasadorja Samantha Powers.

Persona të armatosur prorusë kontrollojnë dhe disa ndërtesa kryesore në qytetin industrial Donetsk, në Ukrianën lindore, dhe kanë deklaruar mbajtjen e një referendumi më 11 Maj për shkëputje nga Ukraina dhe bashkim me Rusinë. Një votim i ngjashëm në Krime muajin e kaluar çoi në aneksimin e gadishullit nga ana e Rusisë.
XS
SM
MD
LG