Lidhje

Incidente të reja me dhunë në Ukrainë


Njoftime për incidente të reja dhune dhe kamionë me armatime të rënda drejt Ukrainës lindore sot kanë shtuar dyshimet për vlerën e armëpushimit të arritur në shtator mes Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Administrata rajonale e Donetskut njoftoi se tre civilë dhe një ushtar ukrainas u vranë dhe shtatë persona të tjerë u plagosën sot, kur forca separatiste bombarduan një lagje periferike të Donestkut.

Qyteti, i cili kontrollohet nga separatistët u bombardua rëndë dje. Sipas njoftimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, duket se këto ishin goditjet më intensive të ndërmarra që nga fillimi i tetorit. Sipas gazetarëve të Reuters-it që ishin brenda në qytet, sulmet rezultuan në zjarre dhe tym që ngrihej nga gërmadhat e aeroportit të qytetit.

Secila palë akuzon tjetrën për sulme kundër zonave të populluara me civilë.

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE, shprehu shqetësim pas njoftimeve për kamionë me armatime dhe tanke që udhëtonin drejt pjesëve të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier thotë se gjendja në rajonet lindore të Ukrainës, nën kontrollin e kryengritësve është bërë përsëri serioze dhe të gjitha palët duhet të respektojnë një marrëveshje për armëpushim.

Zoti Steinmeier tha gjatë një vizite në Kazakhstan sot se të gjithë ata që janë të përfshirë në konflikt, përfshirë Rusinë duhet t’i rikthehen respektimit të armëpushimit, për të cilin është rënë dakord në shtator.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë shprehu “shqetësim të madh” dje lidhur me njoftimet për furnizime me armatime për separatistët dhe për bombardimet në Donetskun e kontrolluar nga kryengritësit.

XS
SM
MD
LG