Lidhje

Ukrainë, seperatistët pro-rusë kerkojnë bashkimin me Rusinë


Rajoni i Donetskit në Ukrainën lindore ka shpallur pavarësinë dhe i ka kërkuar Moskës të marrë në shqyrtim bashkimin e këtij rajoni pro-rusë me Rusinë.

Udhëheqësi i separatistëve pro-rusë në këtë rajon, Denis Pushilin tha se Republika Popullore e Donetskit tani është një "shtet sovran". Udhëheqësi pro-rus i rajonit lindor të Luhanskit gjithashtu ka shpallur pavarësinë e atij rajoni.

Separatistët në të dy rajonet thonë se 90 përqind e votuesve që morën pjesë në dy referendume të veçanta të mbajtura të dielën votuan në favor të shkëputjes nga Ukraina. Rezultatet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ministria e jashtme e Ukrainës i quajti referendumet të "ngathëta" dhe thotë se sondazhet nga agjencitë perëndimore tregojnë se shumica e atyre që jetojnë në lindje preferojnë një Ukrainë të bashkuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se nuk i njohin rezultatet e referendumeve të së dielës në Ukrainën lindore.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka bërë thirrje për dhënien fund të përpjekjeve për minimin e integritetit territorial të Ukrainës.

Duke folur në një konferencë shtypi një ditë pas referendumit, kreu i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskit, Denis Pushilin tha se hapi tjetër logjik do të jetë konsolidimi ekonomik dhe ushtarak i rajonit.

"Në këtë moment, junta e Kievit po bën një luftë civile në territorin tonë. Dhe në qoftë se ne gjejmë formacione të paligjshme në territorin tonë, atyre do t’u kërkohet të kalojnë në radhët tona ose do të dëbohen nga territori ynë", tha zoti Pushilin.

Qeveria e Ukrainës dhe Perëndimi kanë dënuar referendumin e së dielës duke thonë se referendumi është një shkelje e ligjit ndërkombëtar, dhe akuzuan Moskën për orkestrimin e trazirave në një përpjekje të mundshme për të rrëmbyer më shumë territore disa javë pas aneksimit të Krimesë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dje në një konferencë shtypi shprehu shqetësimin e tij për përshkallëzimin e situatës në jug dhe në lindje të Ukrainës pas referendumeve fundjavës.

"Gjatë javëve të fundit ka pasur shumë dhunë dhe pak dialog. U bëj thirrje të gjithë atyre që po përpiqen të minojnë unitetin e Ukrainës, integritetin e saj territorial dhe stabilitetin e saj që menjëherë të ndalin veprimet e tilla. Autoritetet në Kiev duhet të vazhdojnë t’u përgjigjen akteve të tilla me përmbajtje maksimale dhe brenda parametrave të ligjit të Ukrainës dhe parimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut".

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se ata nuk i njohin rezultatet e referendumit të së dielës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Uashingtoni është "i zhgënjyer" që Moska nuk ka përdorur ndikimin e saj për të parandaluar organizimin e referendumet, pasi Presidenti rus Vladimir Putin u kërkoi separatistëve të shtyjnë referendumet.

Presidenti Putin ende nuk ka bërë komente mbi referendumet. Por në një deklaratë të Kremlinit të lëshuar dje thuhet se Moska i respekton rezultatet. Deklarata gjithashtu bëri thirrje për "dialog" mes qeverisë ukrainase dhe dy rajoneve pro-ruse.

Ndërkohë dje, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj 13 zyrtarëve të tjerë rusë dhe dy kompanive ruse. BE-ja thotë se ata janë të lidhur me ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Ukrainë.

Po dje, një takim i një komisioni të ngritur për hetimin e konfrontimeve vdekjeprurëse në Odesa në fillim të këtij muaji shkaktoi një përballje mes anëtarëve të komisionit dhe gazetarëve të atjeshëm

Gazetarët akuzuan kreun e ekipit hetues, Tatiana Gerasimova se ka marrë njerëz në ekipin e saj të cilët nuk japin informacione të sakta.

"Grupi ynë përbëhet nga gazetarë që kanë përvojë në gazetarinë hetuese, kështu që ne do të punojmë në formatin e hetimit gazetaresk në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Ukrainës që rregullojnë veprimet e komunikimit masiv dhe të gjitha ligjet e tjera civile, penale dhe administrative", tha zonja Gerasimova.

Komisioni dhe media ranë dakord mbi faktin se njerëzit që vdiqën në zjarrin në ndërtesën e sindikatave të qytetit dhe gjatë përleshjeve në fillim të muajit po mbronin atë që ata besonin se ishte e drejtë dhe nuk janë paguar për pjesëmarrje në demonstrat e asaj dite.
XS
SM
MD
LG