Lidhje

Ukrainë, shtatë vjet burg për Julia Timoshenkon, reagon Rusia

  • Zëri Amerikës

Ukrainë, shtatë vjet burg për Julia Timoshenkon, reagon Rusia

Ukrainë, shtatë vjet burg për Julia Timoshenkon, reagon Rusia

Rusia ka kritikuar vendimin gjyqësor ndaj ish-kryeministres ukrainase Julia Timoshenko. Zonja Timoshenko u dënua me 7 vjet burg për abuzim posti lidhur me një marrëveshje për shitje gazi, që ajo nënshkroi me vendet fqinje në 2009. Avokatët e zonjës Timoshenko thanë se do ta apelojnë vendimin. Vetë ish-kryeministrja ka mohuar të ketë kryer shkelje, duke e cilësuar gjykimin e saj si të motivuar politikisht, me synimin për t’i garantuar presidentit Viktor Janukoviç fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Julia Timoshenko, ish-kryeministrja e Ukrainës e dëgjoi në qetësi vendimin e gjyqit, por nuk priti që gjykatësi Rodion Kireyev të lexonte deri në fund argumentet për gjykimin. Ajo u ngrit nga vendi dhe filloi të bënte komente për gazetarët, ndërkohë që gjykatësi vazhdonte të lexonte vendimin.

“Mos hiqni dorë. Vazhdoni betejën dhe me përpjekjet tona do të arrijmë të triumfojmë mbi këtë regjim autoritar. Ky vendim nuk do të më ndalë. Ne do të luftojmë për të mbrojtur emrin tim në Gjykatën Evropiane”.

Ndërkohë që gjykatësi Kireyev largohej nga salla e gjyqit, bashkëshorti i Timoshenkos tha se edhe atij do t’i vinte radha për të marrë një vendim të ngjashëm. Një përkrahës i ish-kryeministres thërriti ‘Turp t’ju vijë’ nga salla.

Julia Timoshenko u shpall fajtore për tejkalimin e kompetencave, kur nënshkroi kontratën e importit të gazit nga Rusia në vitin 2009. Gjykata tha në vendimin e saj se zonja Timoshenko nuk ishte e autorizuar të nënshkruante kontratën dhe se çmimi që ajo pranoi ishte tepër i lartë, duke shkaktuar humbje buxhetore.

Bashkimi Evropian reagoi menjëherë, duke e cilësuar vendimin si të motivuar politikisht dhe u bëri thirrje autoriteteve ukrainase të garantojnë transparencën dhe paanshmërinë në procesin e apelimit të vendimit.

Julia Timoshenko ishte forca kryesore e Revolucionit Portokalli të 2004, që anuloi fitoren e dyshimtë të Viktor Janukoviçit në zgjedhje. Janukoviç orkestroi rikthimin në pushtet, duke mundur me rezultat të ngushtë Timoshenkon në zgjedhjet e 2010. '

Julia Timoshenko këmbëngul se është e pafajshme dhe se akuzat dhe gjykimi i saj u inskenuan nga Janukoviç për ta eliminuar atë si konkurente në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo thotë se si kryeministre nuk kishte nevojë për leje të posaçme për të nënshkruar marrëveshjen e gazit dhe këmbëngul se veprimet e saj ndihmuan të zgjidhej mosmarrëveshja për çmimin mes Moskës dhe Kievit, që kishte ndikuar në furnizimin me gaz të Evropës Perëndimore.

XS
SM
MD
LG