Lidhje

Vazhdojnë të rriten tensionet në Ukrainën lindore


Në Ukrainën lindore dje, separatistët pro – rusë pushtuan një tjetër ndërtesë të qeverisë, këtë radhë në qytetin Kostjantjnivka. Ndërkohë, kryetari i bashkisë së qytetit të Kharkivit është plagosur rëndë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton nga qyteti ukrainas i Donetskit.

Në Donetsk separatistët pro - rusë u përpoqën të pengonin një tubim prej rreth 2 dy mijë njerëzish që u mblodhën për të protestuar në favor të një Ukraine të bashkuar. Disa njerëz u plagosën në përleshjet mes dy grupeve. Dhuna ndodhi disa orë pasi zëdhënësi i policisë së qytetit Donetsk, Igor Dyomin i tha Zërit të Amerikës se policia a ka nën kontroll qytetin.

"Situata në Donetsk është e qëndrueshme dhe nën kontroll. Ne kemi patur disa incidente të vogla, por në përgjithësi policia është në gjendje të ruaj kontrollin e qytetit".

Në qytetin e Luhansk pranë kufirit rus, turmat brohorisnin ndërkohë që një grup aktivistësh e deklaruan zonën një shtet të pavarur. Një nga udhëheqësit e Republikës së vetë -shpallur Popullore të Luhanskit i bëri thirrje Rusisë që të mbrojë sovranitetin e saj.

"Në rast të veprimeve agresive të qeverisë së paligjshmme të Kievit apo organizatave lokale që e mbështesin atë, ne do t’i kërkojmë Federatës Ruse të dërgojë forca paqeruajtëse këtu".

Në qytetin Kostjantjnivka kryengritësit pushtuan një ndërtesë të administratës lokale. Separatistët pro - rusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në të paktën 10 qytete të tjera.

Kostjantjnivka ndodhet në jug të Slovjanskit ku shtatë vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, disa gazetarë dhe disa aktivistë pro - ukrainas janë ndaluar.

Dhe në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, kryebashkiaku Hennady Kernes u qëllua në shpinë dhe iu nënshtrua operacionit për të shpëtuar jetën. Nuk është e qartë se kush është përgjegjës për këtë sulm.

Ushtria ukrainase ka rritur praninë e saj në rajon, por zyrtari i Shërbimit të Kontrollit të Kufirit në Kiev, Oleh Slabodyan thotë se ushtria ruse po shkelë hapësirën ajrore të Ukrainës.

"Ne kemi parë veprime të tilla që nga dita e enjte. Për shembull ne kemi parë hyrjen e helikopterëve nga ana e Rusisë rreth 1.5 deri në 2 kilometra brenda territorit të Ukrainës. Këto veprime mund të vezhgohen me sy. Edhe avionët ushtarak bëjnë të njejtën gjë".

Ndërkohë që tensionet në Ukrainën lindore shkallëzohen, analistët kanë frikë se është tepër vonë për të ndalur separatistët pa filluar një luftë.
XS
SM
MD
LG