Lidhje

Bisedimet për unitet kombëtar në Ukrainë


Zyrtarët e qeverisë ukrainase kanë diskutuar mbi mënyrat për t’i dhënë fund krizës politike të vendit, ndërsa bordi zgjedhor i qeverisë në Kiev paralajmëroi se kryengritja separatiste pro-ruse në pjesë të Ukrainës lindore mund të prishë zgjedhjet presidenciale të javës së ardhshme.

Ndërkohë në qytetin lindor Kharkiv, qeveria qendrore dhe krerët rajonalë mbajtën sot një raund të dytë bisedimesh për bashkim, por nuk ka patur njoftime për ndonjë përparim. Fraksione separatiste që kanë qenë të përfshira në përpjekjet për të marrë godinat qeveritare në lindje të Ukrainës nuk u ftuan të marrin pjesë.

Në Kiev, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje qeverisë së përkohshme qendrore për të marrë masa për të garantuar sigurinë në lindje të vendit, duke thënë se trazirat mund të parandalojnë votimin e pothuajse dy milionë personave për një president të ri më 25 maj. Komisioni tha se nuk ka qenë në gjendje të përgatitet për zgjedhjet në pjesë të mëdha të Ukrainës lindore, për shkak të kërcënimeve dhe “veprimeve të paligjshme” nga separatistët. Grupet militante pro-ruse kanë marrë kontrollin e dhjetra fshatrave dhe qyteteve që nga fillimi i prillit.

Pavarësisht një ofensive një-mujore, ushtria ukrainase nuk e ka rifituar kontrollin e rajoneve kryesore lindore industriale të Donetskut dhe Luhanskut, ku rebelët deklaruan republikat e tyre të pavarura, në kundërshtim me Kievin dhe Perëndimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG