Lidhje

Ukrainë, sot të paktën 33 të vrarë


Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë, ku thuhej se ishte e skandalizuar nga imazhet e forcave policore që shtinin kundër popullit të tyre

Dëshmitarët në kryeqytetin e ukrainës thonë se të paktën 33 vetë u vranë në përleshjet që shpërthyen sot mes protestuesve anti-qeveritarë dhe policisë, disa orë pasi Presidenti Viktor Janukoviç njoftoi një armëpushim me udhëheqësit e opozitës.

Mjekët që punojnë me protestuesit pohojnë se më shumë se 70 vetë kanë humbur jetën në dhunën e sotme. Disa prej të vrarëve thuhet se ishin qëlluar nga snajperët e qeverisë. Ministria e Brendshme e Ukrainës, ndërkohë, njoftoi se sot u vranë tre policë. Ajo tha se më shumë se 50 policë ishin shtruar në spital gjatë ditës, 30 prej tyre me plagë armësh. Ministria gjithashtu tha se protestuesit kishin kapur 67 policë.

Ndërkohë, përleshjet e mëparëshme gjatë kësaj javë në Kiev lanë 28 të vdekur. Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë, ku thuhej se ishte e skandalizuar nga imazhet e forcave policore të Ukrainës që shtinin kundër popullit të tyre. Në deklaratë i bëhej thirrje Presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç, të tërhiqte menjëherë forcat e sigurisë nga qendra e Kievit. Përdorimi i forcës nuk e zgjidh krizën, thuhej në deklaratë.

Njoftohet se disa prej protestuesve janë goditur nga të shtënat e snajperëve të qeverisë. Përleshjet e ashpra midis policisë dhe protestuesve çuan në dështimin e plotë të armëpushimit të shkurtër në kryeqytetin e bllokuar të Ukrainës.



Protestuesit, të cilët kanë ngritur një strukturë të kujdesit mjekësor në një katedrale për të mos lejuar që kolegët e plagosur të rrëmbehen nga policia, thonë se numri i të plagosurve është shumë më i madh, ndoshta dyfish apo trefish nga ai që raporton ministria e shëndetësisë, e cila flet për vetëm 287 të plagosur.
Ministria e Brendshme e Ukrainës, ndërkohë, njoftoi për vrasjen e tre policëve sot.

Ministri i Brendshëm Vitaly Zakharschenko tha po sot se policisë i ishin dhënë "armë luftarake" për të mbrojtur qytetarët dhe pronën nga sulmet, si dhe për vetëmbrojtje.

Ai u bëri thirrje atyre që i quajti "ekstremistë" në mesin e protestuesve që të dorëzojnë armët. Ministri kërkoi gjithashtu nga udhëheqësit e opozitës për tu "distancuar" nga "radikalët".

Dhuna e sotme ndodh ndërkohë që tre ministra të jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan me presidentin Janukoviç në Kiev për të diskutuar mbi krizën.

Shpërthim i ri i dhunës erdhi vetëm disa orë pasi presidenti i vendit, pozita e të cilit është vështirësuar, dhe udhëheqësit e opozitës, që kërkojnë dorëheqjen e tij, bënë thirrje për një armëpushim dhe negociata për të zgjidhur krizën e zgjatur politike të Ukrainës.

Kreu i opozitës Vitali Klitschko i kërkoi presidentit Janukoviç të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Kjo është tani e vetmja mënyrë për të ndalur dhunën," tha zoti Klitschko në një deklaratë për televizionin. Ai i bëri gjithashtu thirrje popullit që të "bashkohet për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe pronën e tij". Veproni së bashku me fqinjët dhe miqtë tuaj, mos lejoni dhunën në rrugët tuaja," tha ish-boksieri i peshave të rënda.

Presidenti Obama ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mbajnë në radhë të parë qeverinë ukrainase "përgjegjëse" për trajtimin në mënyrën e duhur të protestave. Uashingtoni shpalli ndërkohë ndalimin e vizave për 20 zyrtarë të lartë të qeverisë që besohet se janë përgjegjës për goditjen ndaj protestuesve.

Të dyja palët në Ukrainë janë përfshirë në një betejë të gjatë prej rreth një dekade për çështjen e identitetit të këtij vendi me 46 milionë banorë, besnikëria e të cilit është e ndarë mes Rusisë dhe Perëndimit.
Disa pjesë të vendit - kryesisht qytetet perëndimore - janë në revoltë të hapur kundër qeverisë qendrore të presidentit Janukoviç.

Megjithatë, mbështetja për zotin Janukoviç mbetet e fortë në rajonet industriale lindore, të cilat varen nga furnizimet me gaz natyror rus dhe nga tregu i madh i Rusisë.
XS
SM
MD
LG