Lidhje

Breedlove: Perëndimi të armatosë Ukrainën


Komandanti ushtarak i NATO-s po i bën thirrje përsëri Perëndimit për të dërguar armë mbrojtëse në Ukrainë për ta ndihmuar të përballet me rebelimin e mbështetur nga Moska në lindje të vendit. Gjenerali Breedlove tha se duhet shqyrtuar çdo mjet si kundërpërgjigje.

Gjenerali i Forcave Ajrore amerikane Philip Breedlove, tha në një konferencë shtypi në Bruksel të dielën se ai nuk mendon se çdo mjet i Shteteve të Bashkuara apo i një vendi tjetër duhet që domosdo të jetë jashtë tryezës.

“Ajo që shohim në Ukrainë është se kundër saj po përdoren mjete diplomatike, të informacionit, ushtarake dhe ekonomike. Ndaj, ne në Perëndim duhet të marrim në shqyrtim përdorimin e të gjitha mjeteve tona si kundërpërgjigje. A do të jenë destabilizuese? Përgjigja është po. Po ashtu mosveprimi mund të jetë destabilizues.”

Zoti Breedlove përmendi të dhënat e zbulimit të NATO-s, duke vënë në dukje ato që ai i quajti prova të reja shqetësuese - armatime dhe furnizime të tjera që kalohen përmes kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës në kundërshtim me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Moska në muajin shkurt.

Gjatë javëve të fundit, dy prej diplomatëve më të rëndësishëm të Gjermanisë kanë paralajmëruar kundër dhënies së armatimeve Ukrainës pa shqyrtuar së pari mundësinë e një reagimi masiv rus kundër forcave të armatosura të Kievit, të cilat janë shumë më të vogla në numër.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank Walter-Steinmeier i tha agjencisë së lajmeve Associated Press në fillim të këtij muaji se furnizimi i Kievit me armatime të tilla mund ta nxirrte jashtë kontrollit konfliktin në Ukrainë.

Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara Peter Witting tha se presidenti amerikan Barack Obama kishte vendosur të mos e furnizonte Kievin me armë vdekjeprurëse pas bisedimeve të fundit me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Nga ana e saj, Shtepia e Bardhë nuk e ka konfirmuar vendimin dhe thotë se po shqyrton situatën ushtarake në Ukrainë pas armpushimit. Vëzhguesit evropianë thonë se në rajon është shënuar një rënie e luftimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes në muajin shkurt nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG