Lidhje

Ukrainë, Yatseniuk viziton Odesën


Kryeministri ukrainas Arseniy Yatseniuk tha se Rusia po kërkon të shkatërrojë Ukrainën përmes përleshjeve të përgatitura, përfshi zjarrin që shkaktoi vdekjen e 42 aktivistëve prorusë në Odesa.

Zoti Yatseniuk vizitoi Odesën sot, dy ditë pas zjarrit vdekjeprurës në qytetin port me një milion banorë. Ai akuzoi Moskën për përfshirje në “provokacione të planifikuara mirë" kundër qeverisë së përkohshme të Kievit.

Qeveria e zotit Yatseniuk thotë se do të vazhdojë ofensivat ushtarake kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit, ndërsa Kremlimi njoftoi të ketë marrë mijëra telefonata për ndihmë nga qytetarët rusisht-folës në rajon.

Ministri i brendshëm i Ukrainës Arsen Avakov tha se trupat kanë rimarrë nën kontroll një televizion dhe ndërtesat qeveritare në Kramatorsk, pranë qytetit Slovyansk.

Shefi i këshillit të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes në Ukrainë Andrili Parubi tha sot se do të kryen operacione anti-terroriste në qytete përtej Slovyanskut dhe Kramatorskut.

Në Moskë, një zëdhënës i Kremlinit tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka vendosur ende si të përgjigjet ndaj ofensivës apo për vdekjen e të paktën 42 personave – shumica prorusë – të cilët gjetën vdekjen në luftimet e së premtes pranë qytetit port të Odesës.

Rusia ka tani të paktën 40 mijë trupa të dislokuara në kufi me Ukrainën dhe Kremlini thotë se rezervon të drejtën të hyjë në vend për të mbrojtur njerëzit e etnisë ruse.
XS
SM
MD
LG