Lidhje

Ukrainë, dorëhiqet kryeministri


Parlamenti i Ukrainës shfuqizoi një sërë ligjesh të debatueshme që kufizojnë protestat publike, ndërkohë që Presidenti i vendit pranoi dorëheqjen e Kryeministrit Mykola Azarov. Qeveria thotë se dorëheqja e zotit Azarov është një përpjekje për të inkurajuar kompromisin politik.

Faqja e internetit e qeverisë ukrainase e njoftoi lajmin për dorëheqjen sot, duke publikuar një deklaratë të zotit Azarov, ku thuhet se ai dëshiron të inkurajojë "kompromisin shoqëror dhe politik" pas dy muaj protestash që kanë kulmuar kohët e fundit me përleshje të dhunshme midis demonstruesve dhe policisë.

Ai tha se shpresonte që dorëheqja e tij, e cila u pranua nga presidenti Viktor Janukoviç, të krijojë mundësi për zgjidhjen paqësore të krizës politike në vend.

"Shumë mirë që Kryeministri ka paraqitur dorëheqjen, këtë duhet ta kishte bërë kohë më parë. Tani presim që Presidenti Janukoviç të veprojë po ashtu," thotë profesori Roman Pasuchenko.

Disa orë më vonë, parlamenti miratoi shfuqizimin e ligjeve kundër protestave, që ishin bërë shkak për demonstrime të dhunshme anti-qeveritare në Kiev dhe qytete të tjera. Por Presidenti Janukoviç tha se amnistia për dhjetra protestuesit e arrestuar në demonstrata do të zbatohej vetëm nëse aktivistët hiqnin barrikadat dhe largoheshin nga rrugët.

Dje, presidenti Janukoviç njoftoi se kishte rënë dakord për shfuqizimin e ligjeve kundër protestave. Njoftimi erdhi pas një takimi mes tij dhe udhëheqësve të opozitës.

Ndërkohë, protestuesit janë larguar nga ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë që kishin pushtuar gjatë natës, por thanë se do të ktheheshin, në qoftë se nuk bëhet përparim për t'i dhënë fund konfrontimit me qeverinë.
XS
SM
MD
LG