Lidhje

Ukrainë, Parlamenti shqyrton amnistinë


Parlamenti i Ukrainës po shqyrton amnistinë për dhjetra njerëz të arrestuar gjatë protestave politike të dy muajve të fundit në Kiev.

Presidenti Viktor Janukoviç ka thënë se amnistia është e mundur vetëm nëse protestuesit largohen nga ndërtesat qeveritare që kanë uzurpuar dhe heqin barrikadat nga rrugët.

Ndërkohë, ai ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit dhe të kabinetit, në përpjekje për të fashitur protestat e dhunshme anti - qeveritare që kanë përfshirë kryeqytetin, Kiev, dhe janë përhapur në qytete të tjera.

Në vijat e para të demonstruesve në Kiev, dorëheqjet nuk e kanë shuar zjarrin e protestës. Njëri nga ata që mbronin barrikadat nëpër Sheshin e Pavarësisë ishte Volodimir Ovchar.

"Është gjë e mirë që qeveria iku. Por na duhet të heqim qafe edhe Viktor Janukoviçin. Duhet gjithashtu të rifreskojmë të gjithë sistemin dhe të bëjmë sa më shpejt zgjedhje të reja parlamentare e presidenciale," thotë protestuesi.

Shumë protestues duket se kanë marrë zemër nga dorëheqja e qeverisë.
Kjo është rruga Hrushevsky në qendër të Kievit, skenë e disa prej rasteve më të rënda të dhunës. Demonstruesit janë ngujuar tani në në tre barrikada. Në qoftë se forcat e sigurisë do të përpiqen t'i heqin barrikadat, ka mundësi që të ketë përsëri dhunë.

Larg vijave të frontit, burra dhe gra të të gjitha moshave kanë mbushur Sheshin e Pavarësisë. Këtu ka ushqim dhe pije falas, dhjetra zjarre ngrohin demonstruesit. Flamujt blu dhe të verdhë janë shenjë e kërkesës së protestuesve për një të ardhme evropiane për vendin e tyre.

Ana Ivanovna ka ardhur nga Ukraina perëndimore për t'iu bashkuar protestave.

"Unë nuk jam ende e kënaqur me vendimet e parlamentit, sepse janë ndërmarrë vetëm disa nga hapat e nevojshme. Autoritetet ende nuk janë tërhequr, por unë e ndjej se jemi në rrugën drejt fitores," thotë zonja Ivanovna.

Ky grup i grave e quan veten Mamatë. Ato bëjnë thirrje për një zgjidhje paqësore.

Por fitorja nuk është aspak e sigurtë. Opozita politike i mirëpriti dorëheqjet e së martës, por tha se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Vitaly Klitschko është udhëheqës i opozitës.

"Dorëheqja e kryeministrit duhet të kishte ndodhur një muaj më parë, pra për fat të keq kemi humbur një muaj. Dhe, gjatë kësaj kohe temperatura në shoqëri është rritur në mënyrë dramatike," thotë zoti Klitschko.

Mbështetësit e Presidentit Janukoviç po kërkojnë shpalljen e gjendes së jashtëzakonshme nëse opozita nuk u bën thirrje protestuesve që të largohen nga ndërtesat qeveritare. Nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, në rrugë do të nxirret ushtria.

Demonstruesit vazhdojnë të qëndrojnë nëpër barrikada dhe shumë nga ata thonë se janë të gatshëm ta mbrojnë Sheshin e Pavarësisë me jetën e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG