Lidhje

Ukrainë, nënshkruhet marrëveshja mes Presidentit dhe opozitës


Presidenti i Ukrainës dhe tre udhëheqës të opozitës nënshkruan sot një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike që çoi në dhunë këtë javë, duke lënë dhjetra të vdekur.

Dispozitat e marrëveshjes përfshijnë rikthimin e kushtetutës së vitit 2004, që do të pakësonte pushtetin e presidentit dhe do të shtonte atë të parlamentit, duke krijuar një qeveri të unitetit kombëtar brenda dhjetë ditësh dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më vonë këtë vit.

Marrëveshja u nënshkrua pasi presidenti Viktor Yanukovych u përul ndaj presionit të opozitës dhe njoftoi se do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme, do të formohej një qeveri koalicioni dhe do të bëheshin ndryshime të kushtetutës.

Njoftimi i tij u bë pas bisedimeve gjatë gjithë natës mes përfaqësuesve të qeverisë së tij dhe opozitës të ndërmjetësuara nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.

Shtëpia e Bardhë e përshëndeti marrëveshjen.

"Ne mbështesim përpjekjet e të gjithë atyre që negociuan marrëveshjen, vlerësojmë kurajon e udhëheqësve të opozitës që njohën nevojën për kompromis dhe ofrojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e saj”, thuhej në deklaratën e sotme të Shtëpisë së Bardhë. “Tani, fokusi duhet të jenë veprimet konkrete për zbatimin e marrëveshjes, të cilën ne do ta monitorojmë nga afër," thuhej në deklaratë.

Zyrtarët amerikanë njoftuan ndërkohë se Presidenti Barak Obama pritej të diskutonte sot në telefon mbi marrëveshjen me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Pak pas arritjes së marrëveshje, parlamenti i Ukrainës votoi për të rivendosur kushtetutën e vitit 2004.
XS
SM
MD
LG