Lidhje

Tensione të reja në Ukrainë


Ukraina ndërmorri operacione të reja ushtarake sot kundër separatistëve pro-rusë në lindje, disa orë pasi skadoi armëpushimi i njëanshëm.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko premtoi se do të rimarrë territoret e kontrolluara nga rebelët.

Aleatët evropianë dhe amerikanë kanë akuzuar Rusinë se po armatos kryengritësit. Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi drejpërdrejti zotin Poroshenko për rifillimin e luftimeve.

Zoti Putin tha se ai, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande nuk arritën të bindin udhëheqësin ukrainas të zgjaste armëpushimin e tij 10 ditor, që zoti Poroshenko tha se rebelët e shkelën më shumë se 100 herë.

Agjencia Interfax e Kievit citonte separatistët në qytetin e Kramatorskut të cilët thanë se luftimet kanë rifilluar.

Armëpushimi i brishtë që skadoi të hënën në mbrëmje shihej si një shans për separatistët që ata të çarmatoseshin dhe të fillonin negociata që synonin amnisti dhe zgjedhje të reja rajonale. Por rebelët nuk u çarmatosën dhe qeveria e Kievit përmendi disa raste të shkeljes së armëpushimit të shpallur më 20 qershor.

KREU USHTARAK I NATOS FAJËSON RUSINË

Në qytetin Slovyansk, një pikë e nxehtë e Ukrainës lindore, banorët nuk ngurrojnë t'ia hedhin fajin Kievit.

"Pse, armëpushim është ky? Si mund të quhet ky armëpushim? Nuk shikon Poroshenkoja dhe qeveria e re se çfarë po ndodh, se njerëzit po vdesin?" pyet Ludmilla, banore e Slovyanskut.

Por edhe para se armëpushimi të dështonte, Gjenerali më i lartë i NATO-s, Philip Breedlove, shprehu dyshim se Rusia do ta lejonte atë të vazhdonte.

"Ajo që po shohim është vazhdimi i konfliktit, vazhdim i mbështetjes së konfliktit nga ana lindore e kufirit dhe, nëse nuk shikojmë që gjërat të ndryshojnë, unë mendoj se ne duhet të tregohemi të kujdesshëm," tha gjenerali.

Philip Breedlove, komandant i përgjithshëm i NATO-s, tha se Rusia ende ka të paktën shtatë batalione përgjatë kufirit me Ukrainën, si dhe forca të shumta të vogla për operacione të veçanta.

"Janë disa lloje trupash dhe armësh që lëvizin nëpër kufi," tha gjenerali.

Vetëm disa javë më parë, NATO-ja publikoi imazhe satelitore që tregojnë 10 tanke ruse, të cilët arrinin në një bazë 75 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Tre nga këta tanke kaluan kufirin.

Generali Breedlove tha se ka shumë mundësi që armët ruse të jenë përdorur për të rrëzuar një helikopter ushtarak ukrainas.

Ai paralajmëroi se forcat e parregullta ruse vazhdojnë të jenë shumë aktive brenda Ukrainës Lindore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG