Lidhje

SHBA marrin pjesë në manovrat në Ukrainë


Ushtria amerikane drejton sot në Ukrainën perëndimore manovra paqeruajtëse, ku përfshihen 15 vende, ndërkohë që presidenti Barak Obama përgatitet të presë këtë javë presidentin e Ukrainës për bisedime në Shtëpinë e Bardhë. Pentagoni tha se në manovra marrin pjesë 1,300 trupa, duke përfshirë 200 ushtarë amerikanë

Manovrat zhvillohen ndërsa vazhdojnë luftimet mes trupave ukrainase dhe kryengritësve në pjesën lindore të vendit, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi të nënshkruar 10 ditë më parë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë njoftoi dje se vëzhguesit e saj vizituan një treg në Donetsk që duket se ishte bombarduar, dhe ndërsa ata po inspektonin, katër mortaja shpërthyen rreth 200 metra larg tyre.

Shefi i misionit monitorues të OSBE-së, Alexander Hug u tha gazetarëve se ekipi i tij kishte qenë në rrezen e zjarrit.

"Pak më në veri të qytetit Kirovskoye, ne u ndodhëm nën zjarr dhe qëndruam për tre orë e gjysmë në makinat tona. Ne numëruam të paktën 40 shpërthime mortajash shumë pranë makinave tona. Një nga makinat u dëmtua rëndë. U detyruam të hipnim në një makinë të vetme dhe mbërritëm këtu vetëm pak minuta më parë."

Zoti Hug i tha agjencisë së lajmeve Reuters se luftimet në Ukrainën lindore nuk janë përhapur në të gjithë rajonin, por janë sporadike në zona të veçanta. Ai tha se ekipi i tij ishte bllokuar nga zjarri i artilerisë mes dy prej këtyre zonave.

Zoti Hug theksoi se armëpushimi i 5 shtatorit përgjithësisht po respektohet.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi për manovrat 12-ditëshe në fillim të këtij muaji. Pentagoni tha se në to do të merrnin pjesë 1,300 trupa, duke përfshirë 200 ushtarë amerikanë. Është hera e parë që nga fillimi i krizës që në Ukrainë zhvillohen manovra me përfshirjen e trupave amerikane.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Obama dhe Presidenti ukrainas Petro Poroshenko do të diskutojnë mbi rrugët diplomatike për t'i dhënë fund krizës, kur ata të takohen të enjten, dhe se bisedimet do të nxjerrin në pah angazhimin e SHBA për të "qëndruar në krah të Ukrainës" në rrugën e saj të demokracisë dhe stabilitetit.

XS
SM
MD
LG