Lidhje

Perëndimi i shqetësuar më situatën në Ukrainë


Anëtarët e KS të OKB-së që u mblodh urgjentisht të mërkurën, shfaqën shqetësimin për mundësinë e luftimeve në shkallë të gjerë në lindje të Ukrainës

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi në një seancë urgjente për krizën në Ukrainë, por pa ndonjë veprim, ndërsa anëtarë të këtij këshilli paralajmëruan për mundësinë e “luftimeve në shkallë të gjerë”.

Këshilli u mblodh të mërkurën në mbrëmje pak orë pasi komandanti i lartë i NATO-s në Evropë, Philip Breedlove, tha se kolona të tankeve ruse, artilerisë dhe njësiteve kundërajrore, kanë hyrë nga Rusia në lindje të Ukrainës që më 10 nëntor.

Raportet janë konfirmuar edhe nga Kievi. Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara Yuriy Sergeyev, ka kërkuar shpjegime nga Rusia.

Ne i kemi të gjitha provat për të konstatuar se Ukraina është e rrethuar nga një sasi e madhe e armatimit dhe trupave. Ne kërkojmë nga Rusia që të shpjegojë se përse i duhet të mbajë në kufijtë tanë 200 tanke, 1 mijë e 600 automjete, 640 njësite artilerie, 191 avionë sulmues dhe 121 helikopterë”, ka thënë Sergeyev.

Zëvendës ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Alexander Pankin, tha se pretendimet e NATO-s nuk paraqesin situatën në terren dhe kjo është propagandë.

Pajisjet dhe trupat në dispozicion të Forcave të Armatosura të Rusisë janë të vendosura të territorin e vendit tim dhe ato nuk kërcënojnë vendin tuaj (Ukrainën). Ato lëvizin në territorin e vendit tim. Andaj, nxitja e emocioneve të larta në Këshillin e Sigurimit, se pushtimi i shpejtë në Ukrainë është i pashmangshëm, nuk u ndihmon bisedimeve tona konstruktive”, ka thënë ai.

Ndihmës sekretari i Kombeve të Bashkuara, Jens Anders Toyberg-Frandzen tha se organizata është “thellësisht e shqetësuar për rifillimin e luftimeve në shkallë të gjerë” në lindje të Ukrainës.

Ai tha po ashtu se Ukraina mund të përballet me një konflikt të nxehte disa muaj që mund të jetë katastrofë, apo situata në lindje të Ukrainës mund të shndërrohet në një “konflikt të ngrirë” që mund të zgjasë me vjet apo edhe me dekada.

Ambasadorja amerikane ne Kombet e Bashkuara, Samantha Power, tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se Rusia flet për paqe, por vazhdon të nxisë luftën në lindje të Ukrainës.

Ju nuk mund të arrini zgjidhje politike, nëse vetëm njëra anë është e angazhuar për të. Ju nuk mund të zbatoni në mënyrë efektive një plan, me dy palë si rusët dhe separatistët, të cilët vazhdimisht dështojnë të mbajnë fjalën. Ne e kemi parë këtë lojë të Rusisë në Transdniester, Oseti të Jugut, Abkhazi dhe Krime. Andaj, pyetja nuk është: çfarë do të bëjë Rusia në lindje të Ukrainës. Pyetja është: çfarë do të bëjmë ne, komuniteti ndërkombëtar, për të parandaluar një tjetër konflikt të ngrirë në Evropë, të prodhuar nga Rusia”, ka thënë Power.

Mbi 4 mijë veta kanë humbur jetën gjatë përleshjeve ne lindje të Ukrainës, ndërsa afro një milion njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre që nga shpërthimi i luftimeve në muajin prill.

Zhvillimet në Ukrainë kanë bërë që marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit të bine në shkallën më të ultë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ndërsa kanë nxitur shqetësimet për ripërtëritjen e kësaj lufte.

XS
SM
MD
LG